Efektivi i policisë së Shkodrës Hydajet Nehani ka ndërruar jetë nga koronavirusi. Rreth 2 javë më parë, ai rezultoi pozitiv me koronavirus dhe u transportua për në Turqi për të marrë trajtim të specializuar.
Fatkeqësisht nuk ka arritur të fitojë betejën pasi i janë krijuar komplikacione në organet jetësore.
Hydajet Nehani ishte efektiv i policisë kufitare në Shkodër, njëkohësisht edhe shofer i drejtorit të Policisë së Shkodrës. Ai po trajtohej në një prej dy spitaleve Covid në Tiranë kur gjendja e tij u përkeqësua, duke bërë që të afërmit e tij të mbledhin të ardhura për ta dërguar në Stamboll.
Miqtë e tij ndanë foton në rrjetet sociale duke i uruar shërim të shpejtë. “Nesër në një mision shumë të vështirë. Jemi të gjithë me ty, Jani Nehani ose siç të njohim të gjithë Hyda jonë. Forca. Bashkë do ja dalim”, shkruanin ata.
Kujtojmë se në Turqi janë dërguar më herët dhe të tjerë pacientë me Covid, që nuk marrin dot trajtimin e duhur në Shqipëri, si Vilma Nushi, deputeti Enver Roshi apo kreu i spitapit francez Besim Boçi, ndërkohë që shumë pacientë të tjerë nuk ia kanë dalë dot që të grumbullojnë paratë e nevojshme për kurimin.(A.M/Faxweb.al)