Ditën e djeshme u bë publik në media një rast flagrant i korrupsionit dhe abuzimit në sistemin shëndetësor, dhe më specifikisht në spitalin Covid 2. (Lexo këtu)
Një sanitare duke u hequr si infermiere i zhvati vajzës së një pacienteje Covid një shumë të majme prej 8 milionë lekësh në mënyrë që t’i siguronte shërbim të posaçëm nënës së saj, por që një gjë e tillë nuk u mundësua kurrë. Vajza pretendon se nënës së saj nuk iu dha kujdesi i posaçëm mjekësor pavarësisht rryshfetit që iu mor nga sanitarja.
Ministrja e Shëndetësisë pas bërjes publike të ngjarjes shkarkoi sanitaren mbrëmjen e djeshme.
Policia e Tiranës bën me dije mëngjesin e sotëm se shtetasja Tire Alldervishaj 58-vjeçe me profesion sanitare në spitalin Shefqet Ndroqi është arrestuar, ndërkohë që vijon hetimi dhe për personat e tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.