Një nga vendimet e para të marra nga ana e Gjykatës së Lartë, e cila po funksionon me gjyqtarë të emëruar, ka qenë rihapja e dosjes së Alket Hatijas, për të cilin Gjykata e Durrësit kishte vendosur mosekstradimin në drejtim të Italisë.
Sipas vendimit të marrë nga trupa gjykuese, dosja e Hatijës do të rigjykohet pasi “Gjykimi dhe vendimi ishte me mangësi të theksuara”.
Nga ana tjetër Hatija ndodhet në liri që prej Korrikut të 2017-tës, pavarësisht se etiketohej gjerësisht nga mediat italiane si mbret i drogës.
Gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën për ekstradimin e Alket Hatisë në Itali në datë 5 mars të vitit 2018, me pretendimin se Hatija e ka kryer dënimin 16 vite në Shqipëri për të njëjtat vepra penale që akuzohet në Itali.
Çfarë shkruan mediat italiane për Hatijan:
‘Ansa’ shkruante se Alket Hatija fshihej në një vilë bunker në zonën e Beratit dhe lëvizte i rrethuar nga rojet, ndërsa u arrestua në Durrës teksa do të takonte një mik.
Sipas medieve italiane shqiptari nga janari në 2003 kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.
Sipas hetuesve, ai fliste pak në telefon dhe askush nuk e thërriste kurrë në emër, ndërsa droga vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve.
(E.K/Faxweb.al)