Prokurori i Përmetit, Asllan Bajrami është kërcënuar në krye të detyrës së tij. Burime të sigurta bëjnë me dije për Fax News, se në dritaren e zyrës së prokurorit është gjetur një fishek i cili duket se është vendosur në shenjë mesazhi.
Prokurori ka depozituar një kallëzim ndërsa janë nisur hetimet e menjëhershme për ngjarjen e ndodhur. Mësohet se gjatë ditëve të fundit, prokurori, ka marrë edhe thirrje në celular nga numra privatë. Po zhvillohen hetime edhe për këto telefonata që ai ka marrë.
Fisheku i gjetur është model 56. Dyshohet se këto veprime janë kryer nga persona të cilët kanë pasur çështje që mund të jenë hetuar nga prokurori i cili ka qenë me detyrë në rrethe të ndryshme të vendit.
Për ngjarjen e ndodhur ka folur edhe vetë prokurori i cili është shprehur se plumb in e kishte gjetur në dritaren e zyrës së tij dhe menjëherë sapo e kishte konstatuar një gjë të tillë, kishte bërë kallëzimin në polici.
“Plumbi ishte në pjesën e jashtme të dritares së zyrës. Zyra ime është brenda godinës së Gjykatës së Përmetit, ku ushtrojnë detyrën edhe tre gjyqtarë, dhe që është pronë e Ministrisë së Drejtësisë. Menjëherë sapo kam parë plumbin, i jam drejtuar policisë”, ka thënë prokurori Asllan Bajrami.