Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se ministrja Belinda Balluku, rezultoi pozitive pas testimit për COVID 19. Lajmi është publikuar në faqen e ministrisë në Facebook, ndërsa njoftohet se gjendja e Ballukut është e qendrueshme dhe me disa simptoma të lehta.
“Ministria bën me dije se ministrja Balluku është në gjendje të mirë shëndetësore, paraqet simptoma të lehta dhe ka nisur karantinimin sipas protokollit përkatës.
Përfitojmë nga rasti t’u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të respektojnë të gjitha masat dhe protokollet në fuqi, për parandalimin e përhapjes së pandemisë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të Ballukut.
Balluku është një nga ministret më aktive të qeverisë Rama, dhe vetëm pak ditë më parë ajo ishte në një koferencë të përbashkët me kryeministrin, për të folur lidhur me investimet në infrastrukturë.
Prej ditësh në vendin tonë numri i infektimeve ditore është rritur ndjeshëm, me një mestare prej 300 rastesh në ditë, ndërkohë që vetëm dje 6 persona humbën jetën. Dy spitalet Covid janë duke punuar në kapacitet të plotë, dhe shumë shpejt pritet dhe hapja e spitalit të tretë në ambientet e ish-kirurgjisë.
(E.K/Faxweb.al)