Pas zbulimit të 15 rasteve të reja me Covid 19 në disa call center në zonën e Laprakës në Tiranë, inspektorët e ISHSH-së kanë mbërritur menjëherë në godinën disa katëshe, dhe kanë vendosur shiritin për mbylljen e subjektit.
Por ajo që ata kanë ndeshur është dera e mbyllur e godinës, ku dyshohet se ka njerëz brenda, dhe nuk lejohet që të kryejnë inspektim në ambientet e brendshme. Inspektorët e ISHSH-së shprehen se do të kërkojnë ndihmën e policisë për hapjen e derës, dhe për inspektimin e ambineteve të brendshme.
Raste me covid janë zbuluar në një godinë ku ndodhen 4 call center, ku në të gjitha ka persona të prekur me koronavirus. Nuk dihet ende sesa është përhapur virusi te punonjësit e tjerë të këtyre kompanive, që kanë një godinë qendrore ku hyjnë dhe dalin personat.
“Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë”, njoftoi paraditen e sotme ministria e Shëndetësisë.
Në të gjithë vendin tonë në 24 orët e fundit ishin zbuluar 25 raste të reja me Covid 19, nga të cilat 24 ishin në Tiranë, dhe vetëm 1 në qytetin e Durrësit. Një lajm jo i mirë ishte ai se një pacient 69 vjeçar nga Tirana ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, duke e çuar numrin total të jetëve të humbura që prej fillimit të pandemisë në 33. (E.K/Faxweb.al)