Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku një mjet urban është përplasur me murin e një prej ministrive në zonën e qendrës. Si pasojë e përplasjes janë lënduar disa pasagjerë, që sipas policisë janë dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Burime bëjnë me dije se autobusi që është përplasur i përket linjës së Kpshtit Zoologjik, dhe është aksidentuar në tentativë për të parakaluar një mjet tjetër urban.
Edhe pse i mbushur plot, duke marrë parasysh orarin kur dhjetra qytetarë kishin dalë për punë, shoferi i urbanit ka tentuar që të bëjë një manovër të rrezikshme, duke vënë në rrezik jetën e shumë personave.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Faxweb.al përplasja ka qenë shumë e fortë, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ndodhet dhe policia që ka nisur hetimet.
Njoftimi i Policisë për aksidentin: Në Qendër, janë përfshirë në një aksident një mjet autobuz me një mjet tjetër. Si pasojë e aksidentit janë lënduar lehtë 4 pasagjerë të mjetit autobuz të cilët u dërguan në spital, për kontroll mjekësor. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
(E.K/Faxweb.al)