Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që drekën e Krishtlindjes ta kalojë me një nga familjet e prekura nga tërmeti, e cila jeton ende në çadër.
Kryeministri Rama ka vizituar banesën e familjes në Gjorm të Laçit, e cila ka pësuar dëme të pariparueshme.
Teksa po bisedonte me kryefamiljarin, Rama ka zbuluar dhe detaje nga projekti që Turqia ka për të ndërtuar 500 banesa të shkatërruara nga tërmeti.
Rama u shpreh se Turqia “ka marrë përsipër Laçin”, ndërkohë që tregoi edhe disa foto të projektit që do të ndërtohet.
“Do të jenë tradicionale, me referenca nga Berati e Gjirokastra. E bën një qytezë fantastike dhe ka potencial për t’i bërë pak më të larta. Plus që është pjesa e spitalit që do të prishen të gjitha konviktet, dhe aty kemi për të bërë një projekt tjetër dhe shumë bukur do të dalë. Kështu që do bëhet Laçi një qytet interesant”, u shpreh kryeministri.