Gjatë një komunikimi virtual me qytetarët, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se edhe berberët do të përfitojnë nga mbështetja e shtetit.
Rama i është përgjigjur ankesave të PD-së, për numrin e testimeve duke thënë se janë bërë e vijojnë të bëhen në bazë tëudhëzimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve
“Testet janë çështje e komitetit teknik të ekspertëve, nuk janë çështje e politikës, nuk janë çështje e qeverisë e lëre më çështje e PD-së. 7X7, 42. Nuk mund të jenë. Kurrë, as në këtë botë e as në tjetrën nuk mund të marrim kurrë mendjen e PD-së për teste, kurrë. Kjo është strategji e përcaktuara nga komiteti teknik i ekspertëve, ne do e zbatojmë. Nëse komiteti i ekspertëve do na thoshte që na duhen 2 mijë teste në ditë do kishim 2 mijë teste në ditë, 3 mijë, 3 mijë. Në këtë rrugë nuk kemi hyrë qorrazi dhe unë nuk kam hyrë të dalë ku të dalë, jam përgatitur për gjithçka. Në çdo moment që do të duhet diçka, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk do t’u mungojë edhe sikur të jetë prapë diellit sot që flasim”, vijoj Kryeministri.
Rama foli edhe për kategoritë që përfitojnë nga mbështetja e dytë financiare që do të ofrojë shteti.
“Për berberët që janë mbyllur dhe ata do të marrin pagën përkatëse, që po e studiojmë. Do të jetë pjesë e paketës së zgjeruar brenda 15 majit. Linjat ajrore do të hapen kur situata të ketë kaluar”, tha Rama.
“Kam marrë ankesa nga biznese të vogla, si rropaqepësi, servis makinash, me ligjin në fuqi është i hapur, por me zakonin në fuqi është i mbyllur, pasi nuk ka fluksin që lëviznin, tani dhe kur dalin sa për punë dhe kthehen. Po ashtu, hidraulik, agjenci turistike, dizainjer, taksixhi. Të gjithë këta dhe ndonjë kategori tjetër do të jenë pjesë e zgjerimit të paketës së mbështetjes, të gjithë pa përjashtim. Pasi janë biznese të vogla të mbyllura nga lufta. Po kështu ata që janë punonjës të linjave të transportit dhe janë në shtëpi do të jenë pjesë e paketës së zgjeruar”.