Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Kamëz, Flamur Noka, denoncoi mëngjesin e sotëm një rast të diskriminimit mbi baza politike të qytetarëve në zonën ku ai kandidon për deputet.
Përmes një video-mesazhi, Noka tregon një qytetar i cili nuk i ka marrë dëmshpërblimetet e tërmetit vetëm se është demokrat ndërkohë që komshiu i tij socialist i ka marrë.
“Erdhi me një numër karte dhe kush ishte socialist në sistem mori paret e tërmetit, kush ishte në sistem demokrat u vendos në listë të kuqe. Shikoje një mur na ndan, ai përfiton unë jo vetëm se jam demokrat”, shprehet qytetari
Flamur Noka u shpreh në lidhje me denoncimin se administratori Ylli Shehu dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Sul,i do të mbajnë përgjegjësi penale për këtë lloj diskriminimi mbi baza politike që ndodh në disa dhjetra qindra raste.
“Do ta ndjek unë këtë punë. Që nga administrator Ylli Shehu dhe deri tek kryetari i Bashkisë që i bëjnë këto dallavere do të përgjigjen nesër penalisht përpara ligjit. Nuk je ti rasti i parë i këtij diskriminimi, por janë dhjetra qindra raste. Ky është diskriminim kriminal dhe ata do ta paguajnë shtrenjtë këtë gjë. Pas 25 Prillit do të japë llogari Ylli Shehu, Rakip Suli dhe kushdo tjetër”, tha Flamur Noka.