Kryeministri Edi Rama në një konferencë për media të mbajtur në ambientet e kryeministrisë, u prononcua në lidhje me dërgimin e çështjes së detit në Hagë. Rama theksoi se këtë çështje e kërkoi qeveria shqiptare, e cila në dakordësi me palën greke ranë në kompromis ta zgjidhin këtë problematik në një Gjykatë Ndërkombëtare.
“Për Greqinë çështjen e detit e ka hapur Shqipëria, për Greqinë ka qenë e mbyllur me marraveshjen që ka bërë Berisha dhe Luli. Greqia nuk ka pasur asnjë pretendim më shumë sesa ai që ka marrë me marrëveshjen e Saliut, çështjen e kam hapur unë dhe Partia Socialiste. Çështja është rihapur, me thënë të drejtën falë këmbënguljes, durimit dhe vullnetit tonë, në komunikim me palën tjetër.
Pala greke ra dakord me ne që ta çojmë çështjen e detit në Gjykatë Ndërkombëtare, e cila ka kapacitete për të dhënë drejtësi. Ne do të ulemi dhe të përgatitemi për të arritur një zgjidhje të drejtë. Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë, të tjerat janë skandale mendore, shprehje të ligësisë që shfrytëzon injorancën në funksion të pushtetit. Atyre nuk i ndërpret gjumin as deti as ajri as toka por vetëm plaçka. E kanë treguar sa herë janë në pushtet, që janë të tërhequr pas plaçkës dhe plaçkitjes, kush bëhet pjesë e tyre është dembel”.- tha Rama.