Partia Konservatore ka zhvilluar disa raunde votimi në javët e fundit, për të zgjedhur dy kandidatët për kreun e partisë dhe kryeministrin e ri të vendit, të cilët më pas do të përballen me votimin e anëtarësisë së partisë.
Dy kandidatët që triumfuan në këtë seri votimesh janë Lizz Truss, Sekretarja e Jashtme dhe Rishi Sunak, Ish Kancelari i Thesarit që dha dorëheqjen nga kabineti i Johnson.
Në raundin final, Sunak mori 137 vota nga deputetët konservatorë ndërsa Truss siguroi 113 vota duke u renditur e dyta.
Rezultati i votimit të anëtarësisë do të njoftohet në 5 shtator dhe MB do të ketë kryeministrin e ri, pas largimit të Boris Johnson, i cili për momentin vijon ta ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e liderit të ri.
Një sondazh i fundit nga YouGov, sugjeron se në një përballje mes Sunak dhe Truss, do të triumfonte Truss dhe se 54% e konservatorëve do ta preferonin atë, ndërsa ish Kancelarin e Thesarit vetëm 35% e tyre.
Lizz Truss ka premtuar ulje taksash dhe anullimin e vendimit për rritjen e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu ajo ka premtuar heqjen e disa taksave për të ulur faturat e energjisë elektrike të konsumatorëve, të cilat kanë pësuar rritje të ndjeshme.
Ndërsa Rishi Sunak ka një version më të kujdesshëm për taksat, duke mos premtuar uljen e tyre deri në uljen e inflacionit. Ai ka premtuar rritjen e taksave për korporatat.