Shpëtim Idrizi ka përgëzuar mbrëmjen e sotme kryeministrin e ri të Kosovës Albin Kurtin, duke theksuar se beson që qeveria Kurti do të jetë qeveri e rikthimit te besimit dhe shpresës.
Në një deklaratë, Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi thekson se subjektet politike të Kosovës demonstruan nivel të lartë maturie e demokracie si gjatë mbarëvajtjes së zgjedhjeve të fundit, ashtu edhe gjatë procesit tranzitor të ndryshimit të qeverive.
“Ne urojmë që kjo pjekuri të reflektohet në unifikimin e qëndrimeve për sfidat dhe vendimet e mëdha që Qeverisë së re të Kosovës do t’i duhet të ndërmarrë. Ne besojmë që Qeveria Kurti do të jetë qeveri e rikthimit të besimit dhe shpresës, përmes ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe prosperitetit kombëtar. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt, të dyja qeveritë e reja, e Kosovës dhe e Shqipërisë, të mund të ndërtojmë bashkëpunim më të ngushtë në shërbim të shqiptarëve në të dy anët e kufirit”, shkruan kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.
Ditën e sotme, është miratuar qeveria e re e Kosovës, ku Albin Kurti është bërë zyrtarisht Kryeministër i vendit, ku mori 67 vota pro.
(E.H/Faxweb.al)