Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e dytë për ditën e sotme, e ka miratuar unanimisht nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të cilën edhe ia ka proceduar Kuvendit.
Kurti deklaroi se ky projektligj do t’ua mundësojë bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë që të mund të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e vendeve respektive duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme.
“Ky Projektligj për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i ri. Ai është një gjë që u pat iniciuar edhe në legjislaturën e gjashtë dhe ka vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani ne po e miratojmë në qeveri për ta proceduar më tej për miratim në Kuvend. Ky projektligj është në funksion të garantimit të të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasadat dhe konsullatat e Republikës duke ua krijuar mundësinë për pjesëmarrje më të lehtë në procesin zgjedhor duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme
Nga ana tjetër kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në konferencën e mbajtur, ka thënë se nëse nuk tërhiqet propozimi i ndryshimit për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, kryeministri Albin Kurti do e çojë vendin në zgjedhje.
Abdixhiku ka lënë të nënkuptohet se deputetët e LDK’së nuk do jenë pjesë e seancës për votimin e presidentit në Kuvendin e Kosovës nëse nuk hiqet dorë nga ky propozim.
“Ky ligj duhet të jetë pjesë e sistemore zgjedhore, për të cilën ka nevojë vendi ynë. Me veprimet e sotme kanë propozuar opozitën nga një proces reformimi, i cili duhet të ishte rezultat i bashkëpunimit me ta. Veprimet e sotme janë me qëllime të shantazhimit, të opozitës së vendit, ajo shumicë ka kuptuar se nuk mund të përballen me pandeminë dhe gjendjen ekonomike në vend. Sot Kurti u porpoq të shantazhojë me shkuarjen në zgjedhje”, deklaroi ai.
“Në emër të LDK’së, iu bëj thirrje kryeministrit Kurtit dhe shumicës parlamentare që të heqin dorë nga ky shantazh i sotëm në raport me opozitën e vendit. Kërkojmë ky ligj të tërhiqet, nëse nuk tërhiqet ky ligj, atëherë kryeministri Kurti na dërgon në zgjedhje’, deklaroi tutje ai.