Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar gjatë seancës së sotme parlamentare se nuk do të votojë pro qeverisë së re të Albin Kurtit.
Në seancën e sotme të jashtëzakonshme parlamentare, pritet të votohet qeveria e re e Albin Kurtit, pasi ky i fundit fitoi zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Mirëpo, Hoxhaj u shpreh se PDK nuk do ta votojë sot formimin e Qeverisë.
Ndër të tjera, Hoxhaj tha se koalicionin i Lëvizjes Vetëvendosje me Vjosa Osmanin është një koalicion për karrige.
“Koalicioni me zonjën Osmani është më shumë koalicion për karrike, dhe kjo ka qenë një fjalë që ju më shumë e keni përdorur në të kaluarën për shumë koalicione që janë bërë në vend. Ne do të bëjmë një opozitë, do të jemi zëri i qytetarëve. Por arsyeja e fundit që dua ta ngris është se pse kjo urgjencë e një seance të tillë pas konstituimit të Kuvendit dhe pse sot nuk keni vendosur ta zgjidhni fillimisht presidentin”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka deklaruar se nga Kurti sot nuk dëgjoi asgjë për mos vazhdimin e dialogut derisa Serbia të kërkoj falje, nuk dëgjoi asgjë për Asociacionin e marrëveshjen e Washingtonit.
“Ne jemi në një seancë në mars të vitit 2021, por duhet ta shtrojmë pyetjen se edhe në shkurt të vitit 2020 e kemi pasur kryeministrin Kurti po ashtu kandidat për kryeministër dhe është votuar si kryeministër. Dhe ajo çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe është se i kemi pasur dy modele të qeverisjeve, atë Kurti dhe Hoti, që kanë qenë qeveri të papërgjegjshme, të paafta për të adresuar sfidat e brendshme dhe ato të jashtme”, ka shtuar ai.
(E.H/Faxweb.al)