AktualitetFlashKosovaKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Kurti-Mustafa pa një marrëveshje zyrtare, zbulohet çfarë e pengoi krijimin e qeverisë së re

Isa Mustafa e Albin Kurti dolën pa marrëveshje nga takimi që supozohej se do ta bënte Kosovën me qeveri. Gazeta Express mëson se Mustafa bëri kërkesën e parë, të cilën Vetëvendosje nuk po e pranon dot. Duhet dorëzimi i VV para kërkesës së Mustafës, i cili në negociata ka arritur të marrë edhe postin e kryeministrit, ose tërheqja e LDK përballë opozitarëve të përhershëm.

Historia shpresëdhënëse për një marrëveshje mes Vetëvendosjes që i fitoi zgjedhjet dhe LDK përfundoi me daljen e Albin Kurtit me fytyrë të ngrysur nga takimi me kreun e LDK, Isa Mustafën, të cilin Kurti pëlqen ta thërrasë “profesor”.

Nga aty, lideri i Vetëvendosjes tha se takimi me profesorin përfundoi pa arritur marrëveshjen përfundimtare. Kurti, që ishte shumë optimist që sot do të arrihej koalicioni, nuk tregoi pse nuk u morën vesh, por tha se negociatat me LDK do të vazhdojnë.

Por, çfarë e bëri të pamundur që dy liderët deri dje opozitarë, sot të formonin qeverinë e re? Mësohet se Mustafa me kërkesën e parë ia “la në fyt” Vetëvendosjes negociatat për krijimin e qeverisë. Dy partitë janë dakordësuar për 12 ministri. Dy prej tyre u takojnë minoriteteve e 10 janë në duart e dy partive që bashkë kanë 57 deputetë.

Burime brenda VV tregojnë se LDK ka kërkuar të marrë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo ministri ka qenë një nga bazat e fushatës së VV. Mustafa, i cili pas zgjedhjeve të vitit 2014 nga vendi i dytë kishte arritur ta marrë postin e kryeministrit, ka pasur edhe kërkesa të tjera. LDK dëshiron që marrëveshja të përfshijë edhe zotimin se do t’i jepet posti i presidentit të vendit në vitin 2021, kur Hashim Thaçit i përfundon mandati i rregullt.

Ndërkaq nga LDK nuk është treguar pse nuk u arrit marrëveshja për të cilën partitë ishin zotuar se do të ndodhte menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Mustafa pasi doli nga takimi, ndaras nga Kurti, refuzoi të flasë për mosmarrëveshjet me Vetëvendosjen. Ai tha se kur të përafrohen, do t’u tregojë mediave se cilat ishin problemet. “Sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi me qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur t’i përafrojmë”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke fituar 29 mandate në Kuvendin e Kosovës. E dyta është LDK, e cila do të ketë 28 deputetë. Posti i kryeministrit, sipas marrëveshjeve të mëparshme të këtyre partive, i takonte fituesit, që në këtë rast është Albin Kurti. /Express/

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *