Besimtarët e krishterë i kanë kremtuar pashkët për të dytin vit radhazi ndryshe nga vitet e tjera, të diktuar nga pandemia dhe masat e kufizimit social.
Pashkët njihen si momenti më i madh për besimtarët e krishterë pasi është dita në të cilën shënohet ringjallja e Krishtit pas kryqëzimit.
Ndryshe nga vitet e tjera kremtimi i këtyre Pashkëve nuk është bërë i mundur të pritet në mesnatë ashtu siç është zakon, por për shkak të orës policore mesha është mbajtur në orën 17:00 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.
Mbajtja e meshës në këtë orë është bërë me qëllimin që qytetarët të kenë mundësi të kthehen në shtëpi përpara orës policore.
Mesha u drejtua nga Kryeipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo, ndërsa në të morën pjesë një numër i konsiderueshëm qytetarësh të cilët duke respektuar rregullat anticovid dhe të pajisur me maska kanë pritur këtë festë të krishterë.
Mesazhi i urimit të Imzot George Frendo lidhej me pandeminë dhe ai u shpreh se besimi jep kurajë dhe shpresë, për të përballuar çdo sfidë.
Ndërkohë, Arqipeshkivi i Shkodrës, Angelo Masafra ka uruar nga qendra e rehabilitimit, ku po merr veten pasi fitoi betejën me COVID. Ai thotë se Pashkët nuk janë përfundimi i Kreshmëve. Masafra falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë betejës me COVID, ndërsa i kërkon besimtarëve të vazhdojnë lutjen për të dhe për të gjithë të sëmurët.