Kryeminstri Edi Rama ka folur i ftuar në ‘Studio e Hapur’ me Eni Vasilin edhe për sulmin që bëri për ‘Le Iene’ emisionin që publikoi reportazhin për fëmijët në Bulqizë.
Ai tha se e pranon se ka gabuar për deklaratat ndaj reportazhit të realizuar për Bulqizën, por tha se kishte folur me paragjykim.
E çuditshme për kryeministrin tonë që pranon gabimin me mediat italiane, ndërsa mediat e vendit të tij i quan herë pas here kazan. Dy standarde, jo për gjë po nga Italia fqinje së fundi kanë ardhur dhe disa dosje aspak komode për qeverinë.
“Së pari e vërteta është se nuk e kam parë vetë, e mora si informacion, por cfarë kam thënë është rastet e fëmijëve janë sporadike. Unë pa e parë fola me një paragjykim por e pranoj, kam gabuar, është shumë e thjeshtë, nuk kërkoi falje por kam gabuar”, tha ai.
Përpara disa ditësh emisioni investigativ italian “Le Iene” transmetoi një reportazh nga Bulqiza ku trajtohej problemi i fëmijëve që punon gjithë ditën në stoqet e mineralit të kromit për të fituar 100-200 lekë në ditë. Fëmijët dëshmonin me zë dhe figurë se kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar familjet e tyre të varfra dhe gazetarja Alice Martineli i shoqëroi ata përgjatë një dite pune me mineralet.
Por gjatë një vizite në Bulqizë Rama e mohoi këtë situatë madje duke e konsideruar një media kazani.
“Më erdhi inat me ca italianë se dhe atje kazanë sa të duash ka. Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën më filmime të vjetra, me fëmijët që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot nuk është më si fenomen. Ka raste sporadike, por nuk është më. Po ishin filmime të vjetra mo… edhe e nxjerrin atje: “Ja Shqipëria, turren…tmerr. Tmerr. Çfarë të thuash!”- kishtë thënë Rama për reportazhin e ‘Le Iene’.
Ndërkohë në një video publikuar në median italiane, gazetarja Alice Martineli i sqaronte me detaje Ramës, atë që kishte ndodhur në Bulqizë. Pa duf, me fakte dhe argumente, dhe në fund duke i treguar vendin, se puna e tij nuk ishte të merrej me reportazhin por të përmisojë fatin e fëmijëve të Bulqizës.
(B.H/Faxweb)