Partizani u katapultua në vendin e parë pas fitores ndaj Skënderbeut me rezultatin 4-0, ndërsa Kukësi fitoi ndaj Vllaznisë me rezultatin 2-4 në “Loro Boriçi”. Shkodranët pësojnë humbjen e parë të sezonit në një moment që nuk duhej.
Ndeshja nisi mjaft mirë për kuqeblutë që shënuan në minutën e 3′ me anë të Dungës për 1-0. Ibrahimi ktheu rezultatin duke dërguar ekipin e tij në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-2. Ai shënoi fillimisht pas një topi të mbetur në zonë, ndërsa më pas shënoi nga penalltia.
Goli i qetësisë u shënua nga Eze. Ky i fundit realizoi pas një gabimi të Zogovicit. Portieri gaboi në dalje, ndërsa sulmuesi nuk gaboi. Ardit Hoxhaj ngushtoi diferencën në minutën e 85′ për 2-3. Kukësi vulosi rezultatin me Limajn në 2-4.
Partizani nga krahu tjetër dominoi krejtësisht Skënderbeun. Trajuneri Ilir Daja nuk u kursye ndaj ish-ekipit të tij. Jugen Bardhi gjeti golin e parë, ndërsa Mala realizoi një kryevepër për 2-0. Ai goditi në mënyrë perfekte një goditje dënimi duke shkundur trekëndëshin e portës.
Cardoso mbylli pjesën e parë me rezultatin 3-0. Pjesa e dytë pati vend dhe për golin e Solomon me rezultatin 4-0. “Demat”kapin vendin e parë me këtë fitore me pikë të barabarta ndaj Vllaznisë.