Në më pak se 24-orë, kryeministri Edi Rama harroi që mbrëmë tha se shëndeti i njerëzve është më i rëndësishëm se fushata elektorale.
Këtë mesditë, në një vizitë në qytetin bregdetar të Durrësit, kryeministri duket se ka zgjedhur të shkojë në këmbë aty ku po kryhen ndërtimet e “Velierës”.
Mirëpo gjatë rrugëtimit nëpër qytet kryeministri shihet i shoqëruar nga një numër i madh personash, duke thyer rregullat e pandemisë të cilat ai mbrojti mbrëmjen e djeshme duke sulmuar mitingun e opozitës në sheshin Nënë Tereza.
“Ku je o yll, po kalon njishi”, dëgjoheshin qytetarët të thonin.
Ndërkohë, një qytetare, në derën e biznesit të saj privat ku po qëndronte së bashku me bashkëshortin, iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i thënë: “S’po na lejnë me ju taku”.
Rama ia bëri me dorë të afroheshin, e madje bëri edhe një foto me ta që e shkrepi Sako, duke mos lënë pas edhe batutat.
“Si jeni? Jepja telefonin të na bëjnë fotografi. Fotografe kryetaren e bashkisë, fotorafi me kryeministrin, burrin po se po, ça do më?”, i tha Rama qytetares.