Dhjetra banorë të fshatit Vajkal në Bulqizë kanë protestuar sot për të mbrojtur pyjet e fshatit të tyre. Banorët një pjesë e të cilëve emigrant u mblodhën në afërsi të rrugës nacionale, duke kërkuar që kurora e malit të fshatit të tyre të mos preket për shfrytëzim.
Banorët akuzojnë pushtetin vendor në Bulqizë i cili sipas tyre ju ka dhënë hapsirë firmave të ndryshme të shfrytëzojnë pa kriter pyjet e Bulqizës. Ata i kërkojnë të gjitha instancave vendore e qeveritare që të ndërhyjnë sa më parë dhe të mos lejojnë të prekin kurorën e malit të Vajkalit, siç ka ndodhur me masivin pyjor tek liqeni i Zi.
“Kryetari i Bashkisë është vetë kadi, blihet kryeministri, kushdo që të jetë ai, ne populli e pimë lëngun. Bulqiza është -30 gradë dhe pyjet janë të shkatërruar, dhe këtë këtu duam ta mbrojmë. S’ka më gjë tjetër më mbrapa, duhet të mbrojmë veten”, shprehet një prej banorëve.
Në mbështetje të banorëve të Vajkalit ishte edhe ambjentalisti Sazan Guri. Ky i fundit u shpreh se do të jetë gjithmonë krah banorëve në mbrojtje të kauzës së tyre të drejtë, dhe se do të ndjekin të gjitha hapat që kjo hapësirë e gjelbër të mos dëmtohet.
Rezistenca e banorëve dy vite më parë të fshatrave Dushaj, Kodra e Danit, Koçaj e Kokërdhok bëri që të mos lejohej prerja e pyjeve në vendin e quajtur “Sheshe Bulqizë”.