Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


FlashPolitikëTe FunditTe Gjitha

Kryemadhi-Ramës në Kuvend: E quan luks stafin e Vettingut, vetë mban 645 veta në Kryeministri

I ashpër ka qenë reagimi i djeshëm i kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, lidhur me propozimin e maxhorancës për shkurtimin e stafit të vettingut. Kryemadhi tha se edhe pse e quajnë luks stafin e këshilltarëve ekonomikë, në Kryeministri mbajnë plot 645 persona, kur në kohën e drejtimit të Sali Berishës kishte vetëm 118.

”Qeveria e quan luks stafin e nevojshëm të këshilltarëve ekonomik me vetëm 3 këshilltarë gjithsej për të tre institucionet së bashku ndërkohë që nuk e quan luks stafin e kryeministrit me 1300 ose me 645, këtu dua të kujtoj që qeveria më përpara që drejtohej nga Sali Berisha kishte 118 në kryeministri, tani janë 645 kryesisht, përbëhet nga vajza të reja, të cilat jemi shumë dakord që janë prezencë sepse sa më shumë vajza të reja që kemi në institucione aq më tolerant është institucioni por kjo nuk do të thotë që këtë institucion ta kthejmë në një skuadër ”Facebook”-istësh, të cilët merren rregullisht me rregullimin e imazhit mediatik të kryeministrit. ”, theksoi Kryemadhi. (V.G/SHUPLAKA)

FJALA E PLOTË E KRYETARES SË LSI-së:

I nderuar z. kryetar,

Të nderuar kolegë,

Sapo kemi filluar këtë legjislaturë të re parlamentare dhe maxhoranca mesa duket është e paduruar për të keqpërdorur “tepsinë” e pushtetit, të grabitur me paratë e krimit ne 25 qershor, por tani, nuk po fshihet aspak dhe në mënyrë arrogante, i është futur punës me vrull, për të manipuluar dhe “minuar” totalisht reformën në drejtësi dhe konkretisht procesin e Vettingut.  Ajo çfarë po shohim ditët e fundit në komisionet parlamentare, me ngritjen tinzare të institucioneve të posaçme të Vettingut, kryeministri, po na vendos përparpara dëshmisë më flagrante… sepse ne po shohim qartësisht   “duart e gjata” të qeverisë, që po zgjaten, natën edhe ditën, për të kapur përfundimisht sistemin e drejtësisë.

Dhe kulmi i cinizmit politik dhe jo vetëm, është se kjo kapje bëhet nën kornizën e reformës më të madhe dhe historike të Shqipërisë, në sistemin tonë të drejtësisë.

Kjo për ne nuk është e papritur, madje mund të them se është një rrjedhim logjik që e ka pikënisjen nga mënyra sesi kjo shumicë e sotme parlamentare erdhi në pushtet. Nuk është pra një surprizë për ne që kjo maxhorancë e kurorëzuar në pushtet nga baronët e drogës dhe të krimit kërkon të fusë në kontrollin e saj drejtësinë sepse baronët që grabitën votat e Shqipërisë duan shpërblimin dhe garancinë e tyre, që lidhet me paprekshmërinë që ata kërkojnë nga ortaku i tyre në qeveri. Pas tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve tani u duhet tjetërsimi i drejtësisë që ta shndërrojnë atë në një zgjatim të interesave okulte dhe klienteliste të qeverisë.

Reforma në drejtësi për të cilën klasa politike dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kontribuan me një energji të pafund për të arritur në një kompromis dhe në një konsensus të përgjithshëm në korrik të  vitit 2016, sot është vënë në rrezik dhe kërcënohet të dështojë përfundimisht sepse interesat e fshehura të  pushtetit të sotëm duan me çdo kusht një drejtësi të re por akoma më të deformuar por mbi të gjitha në kontrollin e tyre të plotë, sepse deri tani ia ka arritur me sukses të mashtrojë dhe të nënshtrojë deri diku pushtetin e katërt,  mediat dhe më pas ju ka ngelur dhe beteja për ambicien, kështjella e fundit për t’u pushtuar.

Të nderuar kolegë, ajo çfarë u diskutua para disa ditëve në komisionet përkatëse për funksionimin e institucioneve të Vetingut, është një këmbanë alarmi që na bën të qartë se po shkojmë krejtësisht në rrugën e kundërt, se po shembet ajo premisë pozitive që ne me shumë mund ia arritëm një vit më parë. Është e pafalshme dhe e patolerueshme mënyra sesi maxhoranca i konsideron institucionet e Vetingut, le ta themi hapur, sikur të ishin disa institucione të varësisë së saj duke shkelur në mënyrë flagrante kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e tyre që duhet të jenë rreptësisht të pavarura.

Qeveria e quan luks stafin e nevojshëm të këshilltarëve ekonomik me vetëm 3 këshilltarë gjithsej për të tre institucionet së bashku ndërkohë që nuk e quan luks stafin e kryeministrit me 1300 ose me 645, këtu dua të kujtoj që qeveria më përpara që drejtohej nga Sali Berisha kishte 118 në kryeministri, tani janë 645 kryesisht, përbëhet nga vajza të reja, të cilat jemi shumë dakord që janë prezencë sepse sa më shumë vajza të reja që kemi në institucione aq më tolerant është institucioni por kjo nuk do të thotë që këtë institucion ta kthejmë në një skuadër ”Facebook”-istësh, të cilët merren rregullisht me rregullimin e imazhit mediatik të kryeministrit. 

Si mund të besojmë në procesin e Vetingut dhe ne Reformën në Drejtësi ku mbi 800 dosje gjyqtarësh dhe prokurororësh do të skanohen nga vetëm 9 këshilltarë, si do të funksionojnë në mënyrë të pavarur këto institucione ku qeveria ndërhyn në mënyrë arbitrare dhe të qëllimshme në shkurtimin e buxhetit të kërkuar nga institucionet për të kryer punën e tyre të vështirë, fisnike sipas mandatit të tyre kushtetues? A ka kosto të lartë për vendin kjo, për shoqërinë? Sigurisht  taksa e padrejtësisë që kanë paguar shqiptarët në gjithë këto vite për shkak të këtij sistemi gjyqësor është një taksë e cila do të vazhdohet të paguhet më tutje nëse ne do të vazhdojmë të fusim duart në sistemin e drejtësisë dhe të Vetingut, gjë që shpesh sistemi gjyqësor ka qenë i varur dhe i lidhur me fije të nëndheshme të hekurta me pushtetin politik që janë bërë tashmë njësh me krimin.

Kush mund ta besojë më këtë mazhorancë se e ka marrë seriozisht implementimin e plotë dhe objektiv të Reformës në Drejtësi, kur në të vërtetë përmes akteve të saja politike kërkon të luajë rolin e Zeusit dhe pra rolin e vendimmarrësit mbi drejtësinë dhe sistemin e saj në vend. Pa filluar akoma zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe procesi i Vetingut qeveria kërkon të pengojë funksionimin e institucioneve të saj zbatuese dhe të diktojë financiarisht funksionimin e tyre duke i rrudhur buxhetet, duke u treguar gjoja kursimtare me dorë të shtrënguar dhe t’u diktojë atyre ekonomikisht pavarësinë e tyre duke krijuar një varësi të qëllimtë kontrolluese.

A mundet që buxheti i shtetit të na kërcënojë kaq shumë dhe madje ta falimentojë këtë strukturë Vetingu thjesht sepse institucionet përkatëse të Vetingut në të drejtë të tyre kërkojnë  të kenë numrin e caktuar dhe ne si parlament duam t’ua shkurtojmë, bëhet fjalë për 70 persona. Gjej rastin dhe i propozoj kryeministrit le t’i shkurtojë 70 veta nga stafi i tij, në qoftë se nuk i shkurton jam dakord me atë çka propozoi z.Naço, le t’i marrim disa dhe Presidentit, t’i marrim dhe disa Kuvendit se janë 405 Kuvendi dhe 30-40 le t’ia marrim kryeministrit dhe opozitës t’i heqim kauzën që kemi marrë këtu prej disa orësh për Vetingun por ndërkohë edhe trendi i Vetingut mund të vazhdojë pa trazira artificiale.

Por problemi fle diku tjetër, nuk është çështje këshilltarësh, nuk është çështje pagesash por është çështje e dominimit dhe e kapjes së këtij sistemi. Ne flasim këtu nga kolegët tanë socialistë për paga të mëdha, të cilat kanë qenë vetë ata që i kanë propozuar për struktura por asnjëri nga ne nuk flet për sistemin elektronik, i cili do të menaxhohet nga Ministria  e Drejtësisë.  Ç‘punë ka Ministria e Drejtësisë të ketë ndërhyrje në sistemin elektronik të skanimit të dokumentave të prokurorëve dhe gjyqtarëve? Ç‘punë ka Ministria e Drejtësisë apo sekretari i Përgjithshëm i qeverisë të komunikojë me OMN-në kur OMN-ja ka të drejtë konsulente dhe nuk ka të drejtë absolutisht të merret me skanimin dhe rregullimin apo të merret dhe me evidentimin e dosjeve?! Pra varësia ekonomike e  institucioneve të Vetingut është një shpikje, është një sajesë e qëllimshme për të kontrolluar dhe për t’i dominuar këto institucione sikur janë disa anekse të administratës së kryeministrit, por për qytetarët është gjithçka e qartë, kryeministri kërkon vërtetë që përmes kësaj dredhie të uzurpojë institucionet e Vetingut sepse ka frikë se mund të jetë i pandehuri i parë i këtyre strukturave, të cilat do të jenë të pakapura, nëse do të jenë të pakapura dhe një drejtësi që nuk i druhet absolutisht pazareve me politikën.

Prandaj qëndrimi ynë si LSI është që na duhet një Veting i plotë, i pavarur, pa kushte dhe pa pengesa. Veting është llogaridhënia që ne ia kemi borxh shqiptarëve, të cilët paturpësisht i kemi gënjyer dhe mashtruar gjatë gjithë kësaj kohe.

Shqiptarët do të vazhdojnë të jenë mosbesues dhe të zhgënjyer nga politika për aq kohë sa politika ka frikë nga Vetingu sepse nuk duhet të harrojmë asnjëherë që në një shoqëri të shtetit të së drejtës të gjithë janë të barabartë para ligjit kushdo qoftë ky, kryeministri, presidenti dhe ministrat, deputetët dhe çdo tjetër që është jashtë kësaj salle. Nuk ka pse një qytetar i thjeshtë të futet në burg për një faturë energjitike të papaguar ndërsa politikanë të korruptuar pasurohen çdo ditë nga paratë e krimit dhe të drogës.

Nëse realisht apo nëse seriozisht kemi vullnetin për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi atëherë propozimi ynë direkt është që Vetingu mos të jetë i zbatueshëm vetëm për prokurorë e gjyqtarë por të jetë dhe për të gjithë politikanët që kanë mandat në jetën politike shqiptare.

A është gati kjo maxhorancë ta bëjë këtë Veting, kjo është çështje tjetër, a është gati kryeministri të fillojë Vetingun nga vetja e tij, nëse realisht e do drejtësinë në këtë vend në kuptimin e vetë dhe të thellë të kësaj fjale. LSI së shpejti do të vijë me një paketë propozuese për t’iu nënshtruar Vetingut dhe verifikimit të pasurisë për cilindo politikan me mandat prej funksionari në Shqipëri dhe vetëm kështu do të jemi të sinqertë dhe jo hipokritë me shqiptarët, kështu do të kuptojnë shqiptarët se kush e ka me të vërtetë këtë proces dhe kush luan  artistin me shumë fytyra, por shqiptarët duan një drejtësi të drejtë.

Ne duam që institucionet e Vetingut të fillojnë sa me shpejt nga puna pa kushtëzim financiar, pa pengesë administrative, pa mungesa në burimet njerëzore, pa ndikim arbitrar nga maxhoranca si dhe me një mbështetje të plotë nga gjithë klasa  politike dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ashtu dhe sesi u ngjiz kjo reformë një vit më parë.N uk mund të biem dakord që teksa dikush ndalohet në rrugë me makinë të shtrenjtë por nga ana tjetër një politikan udhëton me Charter luksoz, i cili nuk jep llogari përpara drejtësisë dhe qytetarëve dhe të deklarojë se me paratë e kujt udhëton sepse drejtësia e barabartë për të gjithë duhet të fillojë në rradhë të parë nga ne politikanët. Përpara se kryeministri të bëjë gjyqtarin suprem e të kulluar nga mëkatet, le të bëjë më parë detyrën  e shtetarit që i takon sespe nuk është dhe nuk mund të jetë kurrsesi ai bërësi i drejtësisë në  këtë vend, nuk mund të jetë ai prokurori, gjykatësi apo dhe i vetmi i pafajshëm në këtë vend por është  i detyrueshëm që ta bëjë vetëm dhe ekskluzivisht sistemi i drejtësisë, çdo  përpjekje tjetër është mashtrim dhe një tendencë për manipulimin e këtij sistemi të shenjtë dhe të paprekshëm.

Ky është angazhimi ynë, kjo është beteja jonë e përbashkët për të gjithë qytetarët për të pasur një Reformë në Drejtësi të  vërtetë, jo një mashtrim për t’u kthyer dinjitetin gjyqtarëve dhe prokurorëve që jua kemi ndërmarrë nëpër këmbë gjatë gjithë kësaj kohe, duke i sharë, duke i bashkuar të mirë dhe të këqinj bashkë, kështu që kjo është e pakta, gjëja më e vogël dhe më e paktë që mund të bëjmë sadopak për qytetarët shqiptarë.

Dhe jo vetëm është se kjo kapje bëhet në kornizën e reformës së madhe dhe historike të Shqipërisë që është reforma në sistemin tonë të drejtësisë. Kjo për ne nuk është e papritur madje mund të them se është një rrjedhim logjik që e ka pikënisjen nga mënyra sesi kjo shumicë e sotme parlamentare erdhi në pushtet. Nuk është pra një surprizë për ne që kjo maxhorancë e kurorëzuar në pushtet  nga baronët e drogës dhe të krimit kërkon të fusë në kontrollin e saj drejtësinë sepse baronët që grabitën votat e Shqipërisë duan shpërblimin dhe garancinë e tyre që lidhet me paprekshmërinë që ata kërkojnë nga ortaku i tyre në qeveri. Pas tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve tani u duhet tjetërsimi i drejtësisë që ta shndërrojnë atë në një zgjatim të interesave okulte dhe  klienteliste të qeverisë.

Reforma në drejtësi për të cilën klasa politike dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kontribuan me një energji pa fund për të arritur në një kompromis dhe në një konsensus të përgjithshëm në korrik të  vitit 2016, sot është vënë në rrezik dhe kërcënohet të dështojë përfundimisht sepse interesat e fshehura të pushtetit të sotëm duan me çdo kusht një drejtësi të re por akoma më të deformuar por mbi të gjitha në kontrollin e tyre të plotë sepse deri tani ia ka arritur me sukses të mashtrojë dhe të nënshtrojë deri diku pushtetin e katërt,  mediat dhe më pas ju ka ngelur dhe beteja për ambicien, kështjella e fundit për t’u pushtuar.

 

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *