Eksperti i çështjeve të pushtetit vendor, Agron Haxhimali ka qenë i ftuar në studion e emisionit ‘Me Xhaxhiun’ në Fax News ku ka folur lidhur me mbledhjen e fundit që Rama zhvilloi me 61 kryebashkiakët duke mos i kursyer kritikat e shumta ndaj këtyre të fundit.
Haxhimali tha se prej kohësh ishte paralajmëruar falimentimi i pushtetit lokal dhe se Rama kishte qenë në dijeni të kësaj situate.
Sipas ekspertit, kryeministri i mblodhi kryebashkiakët para zgjedhjeve të reja vendore në mënyrë që të transferonte peshën e përgjegjësisë tek ta dhe qytetarët të mos bënin me faj Ramën për dështimet e pushtetit vendor.
‘’Problemet e pushtetit vendor janë pikërisht siç tha kryeministri. Por ky i fundit duhet të dinte këtë gjë kur ne e kemi sinjalizuar disa herë për borxhet e bashkive, për menaxhimin e ujësjellësve, problemet e përmbytjeve, problemet e shërbimeve që banorët që nuk i marrin. Në këtë rast e veçanta ishte se ashtu siç dihet tashmë, kryeministri është një artist i paparë në politikë. Ai i thërret, i kritikon edhe më pas nuk i dëgjon më. Por edhe kryetarët nuk duhet të jenë aq apatikë, duhet ta ngrenë zërin. Por kjo nuk ndodh sepse nuk ka demokraci lokale.
Bashkitë kanë probleme, por shqetësimi është përse kryeministri disam uaj para zgjedhjeve të ardhshme, hapi çështjen e borxhit duke kërcënuar kryebashkiakët të cilët i trajton si të emëruar dhe jo si të zgjedhur. Rama i di fare mirë borxhet dhe problemet e tjera.
Gjuha e tij kishte dy mesazhe. E para një presion politik ndaj të zgjedhurve të vetë, duke mos dashur ta marrë përsipër barrën e problemeve me qytetarët, duke i cilësuar kryebashkiakët si fajtorë për të mos ta mbajtur fajin vetë. Këto janë lojëra populiste që nuk çojnë në asnjë drejtim’’– u shpreh eksperti.