Pas ankimimit që i bëri në Komisionin e Posaçëm të Apelimit vendimit të KPA, kryetari i Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha, është konfirmuar në detyrë. Duke u bërë precedenti i parë që një gjyqtar pas shkarkimit nga filtri i parë i vetingut të rikthehet në detyrë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Kujtojmë se kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës u përball dy herë në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, më 6 maj dhe më 7 qershor të vitit 2019. Gjatë vlerësimit të pasurisë, KPK konstatoi probleme të vogla me deklarimin e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme prej 1.6 milionë lekësh.
Rihapja e hetimeve për kriterin profesional duket se e rëndoi pozitën e Vjerdhës, pasi KPK mori në shqyrtim lehtësimin e akuzave për Sokol Mjacajn në vitin 2010 dhe dy denoncime nga publiku.
Relatori i çështjes theksoi se Apeli e kishte ndryshuar dënimin e Mjacajt nga 10 vjet burg që kishte vendosur shkalla e parë, në 4 vjet heqje lirie. Pak kohë pasi ky shtetas doli nga burgu, ai ekzekutoi dy turistë çekë në Prekal të Dukagjinit.
Vjerdha e mbrojti procesin në Apel ndaj Mjacajt, duke e quajtur atë model. Ai ngulmoi se Sokol Mjacaj nuk kishte qenë bashkëpunëtor vrasjen e vitit 2010, ndërsa shtoi se për vrasjen e dy turistëve çekë ai u dënua me burgim të përjetshëm nga një trupë gjykuese ku pjesë kishte qenë edhe vetë.
Por vendimi i KPK-së i vitit 2019 e përjashtoi Vjerdhën nga sistemi i drejtësisë, për t’u rikthyer përsëri ditën e sotme.