Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Rilinda Selimi e cila në vitin 2020 ishte konfirmuar në detyrë nga KPK.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) nuk kishte hetuar disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Mimoza Tasi anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 14/2021, datë 30.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 325, datë 14.12.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 325, datë 14.12.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Rilinda Selimi dhe shkarkimin e saj nga detyra.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 22.06.2022.