Një natë spektakolare! Ose më saktë, nëse do të fshiheshin 30 minutat e fundit të pjesës së parë, padiskutim që Kosova do të dilte nga “St Mary Stadium” i Sauthemptonit me një rezultat vërtet befasues. Por, në fund, 5-3 i regjistruar është një notë pozitive për djemtë e Challandes, të cilët kanë luajtur pa frikë ndaj një kombëtare gjigantësh dhe yjesh!
Valon Berisha kaloi Kosovën në avantazh. Sterling barazoi gjithçka. Kane kaloi “Tre luanët” në avantazh, teksa Vojvoda realizoi gabimisht në portën e tij për 3-1. Dopieta e Sancho mbylli llogaritë e pjesës së parë në 5-1. Me rikthimin në fushë, Berisha shënoi dopietën e tij në këtë takim, ndërsa Muriqi i dërgoi shifrat në 5-3, pasi goditi saktë një penallti.
Valon Berisha befasoi Pickford që në sekondat e para. Muriqi rrembeu një top nga mbrojtja mike dhe pa u menduar dy herë shërbeu për Berishën. Mesfushori i Lazios ishte i qetë përballë portës dhe me të djathtën tundi rrjetën.
Një episod që ngjalli “Tre Luanët”, të cilët shënuan 5 herë brenda pjesës së parë. Fillimisht Stërling dhe më pas Kane përmbysën rezultatin në 2-1. Për të thelluar avantazhin e Anglisë mendoi Vojvoda, i cili në tentativë për të larguar sferën, gaboi shënjestër duke mposhtur Muric.
Gjithsesi, spektakli i pjesës së parë nuk ishte mbyllur këtu. Talenti i Borussia Dortmund, Jadon Sancho kompletoi dopietën e tij në këtë takim brenda 2 minutave për ta mbyllur pjesën e parë në avantazhin 5-1. Me rikthimin në fushë, Valon Berisha shënoi sërish, ndërsa Muriqi me penallti vulosi rezultatin përfundimtar në 5-3.
Kjo fitore vulos fatet e grupit A, me Anglinë që nis arratinë në krye të grupit me 12 pikë pas katër takimesh. Ndërkohë, Çekia merr vendin e dytë në kuotën e 9 pikëve pas fitores 0-3 kundër Malit të Zi. Kosova mban vendin e tretë me 8 pikë, duke mbajtur ende gjallë shpresat për një kualifikim në Euro 2020.