Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetBotaFlashKryesoreShëndetiTe FunditTe Gjitha

Koronavirusi, sa do të jetë vdekshmëria globale?

Zyrtarët e shëndetit publik dhe epidemiologët nuk kanë ende një mendim të përbashkët për shkallën e vdekshmërisë së virusit COVID-19; parashikimet e tyre shkojnë nga 1 deri në 3.4 për qind të personave të infektuar.

Kjo, thonë virologët, nuk është për t’u habitur pas është fjala për një virus të ri. Ata paralajmërojnë se ndryshimet nga vendi në vend sjellin deformime përsa i përket parashikimeve, veçanërisht nëse sistemet e kujdesit shëndetësor janë të mbingarkuar nga pacientët që kanë nevojë për t’u shtruar në spital.

Disa epidemiologë thonë se pikërisht një gjë e tillë po ndodh në pjesët më të prekura të Italisë veriore. Vdekshmëria në Itali u rrit të dielën në nivelin alarmues prej 5 për qind. Agjencia e Mbrojtjes Civile raportoi rriten me 51 për qind të vdekjeve, duke e çuar numrin e tyre të përgjithshëm në 366.

Rritja e shpejtë e vdekjeve në Itali tejkaloi edhe skenarin më të keq, si dhe nivelin e përgjithshëm në çdo vend tjetër të prekur. Por zyrtarët e shëndetit publik thonë se numri i të vdekurve nuk është i jashtëzakonshëm nëse merret parasysh se Italia ka një popullsi të madhe të moshuar, pasi gati një e katërta e italianëve janë mbi 65 vjeç. Vetëm Japonia ka një demografi me më shumë të moshuar midis vendeve të zhvilluara. Në Kinë është vërejtur se rreth 9 për qind e viktimave të koronavirusit mbi 80 vjeç vdesin. Në Itali, shkalla e vdekjes për të moshuarit e infektuar është diçka më shumë se 8 për qind.

Që nga e hëna, autoritetet italiane raportuan vetëm dy vdekje nën moshën 63 vjeç, dhe njoftuan se shumë prej personave që gjetën vdekjen ishin në të tetëdhjetat ose nëntëdhjetat. Shumica e tyre kishin sistem imunitar të dobësuar nga sëmundjet kronike, si veshkat, diabeti dhe problemet e zemrës.

Zyrtarët e shëndetit publik thonë se sistemi i kujdesit shëndetësor vazhdon ta përballojë emergjencën, por është nën një tendosje të jashtëzakonshme që mund të rëndohet nëse masat drastike të frenimit të shpallura të dielën nga Kryeministri Giuseppe Conte nuk do të fillojnë të kenë një efekt.

Italia po ndërmerr hapa të paparë për të trajtuar pacientët që kanë nevojë për shtrim në spital duke sjellë mjekë pensionistë dhe duke përshpejtuar datat e diplomimit për studentët e infermierisë. Lombardia, rajoni italian i prekur më rëndë, tashmë ka më shumë se 10 për qind të mjekëve dhe infermierëve të paaftë për të punuar sepse ata kanë testuar pozitivisht për virusin dhe janë në karantinë, sipas zyrtarit të lartë shëndetësor të rajonit lombard, Giulio Gallera.

Spitalet në qytetet Lodi dhe Kremona javën e kaluar ishin aq të mbushura saqë u duhej të mbyllnin dhomat e urgjencës dhe t’i dërgonin pacientët diku tjetër.

Në SHBA, mospërputhjet në shifrat e vdekshmërisë u bënë shkak për polemika politike javën e kaluar kur Presidenti Donald Trump tha se raporti i vdekjeve përfundimisht do të jetë në nivelin rreth 1 për qind, duke iu kundërvënë Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO), e cila e ka ngritur parashikimin e vdekshmërisë globale për koronavirusin në shifrën rreth 3.4 për qind.

“Mendoj se 3.4 për qind është në fakt një shifër e rreme. Natyrisht, këtë e them nga intuita ime, por e kam të bazuar në shumë biseda me plot njerëz që me rren me këtë. Sepse shumë njerëz do ta marrin virusin por do të jetë shumë i lehtë. Ata do të përmirësohen shumë shpejt dhe as kanë nevojë të shkojnë te mjeku, nuk kanë pse e thërrasin mjekun,” tha Presidenti Trump gjatë një interviste televizive.

Zyrtarët britanikë thonë se ata gjithashtu mendojnë se shkalla e vdekshmërisë do të jetë rreth 1 për qind. Chris Whitty, zyrtari më i lartë shëndetësor i vendit, u tha ligjvënësve javën e kaluar se inkurajohej nga rënia e rasteve në Kinë dhe ngadalësimi i nivelit të vdekjeve atje.

Epidemiologët janë të bashkuar në një gjë: të gjithë e pranojnë se parashikimi i përqindjes së vdekshmërisë është shumë i ndërlikuar për shkak të faktorëve të panjohur. Jo gjithçka dihet për koronavirusin e ri dhe përpjekja për të llogaritur në sistem rastet e pazbuluara ose të pa raportuara është diçka e vështirë./VOA/

 

Partitë po negociojnë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *