Policia e Tiranës ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në rrugën ‘Ndre Mjeda’ në Tiranë, ku si pasojë e armës së zjarrit mbeti i plagosur biznesmeni Sino Llanaj, si dhe një kalimtar i rastit, ndërkohë që me sende të forta u lëndua roja i pallatit.
Në fund të hetimeve, Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga dy biznesmenët Alber Allmuça dhe Sino Llanaj, ndërkohë që personi që ka gjuajtur më armë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Llanaj akuzohet për goditje për shkak të detyrës, ndërsa Allmuça vetëm për moskallëzim të krimit.
Allmuça u vetëdorëzua pas ngjarjes në Policinë e Tiranës, dhe mohoi akuzat se ishte i përfshirë në plagosjet e Llanajt. (Lexo edhe ketu) Personat e tjerë të arrestuar janë Alfred Lumani, Skënder Margjeka dhe Shkëlzen Byberi.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Ndre Mjeda”. Vihen në pranga 5 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi municioni, një armë e ftohtë dhe 5 aparate celular.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, ku u plagosën me armë zjarri 2 shtetas dhe u dëmtua me sende të forta një shtetas tjetër.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; S. Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Sh. B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”; S. M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Ll., së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Çfarë ndodhi dje mes biznesmenëve
Mëngjesin e djeshëm (13 Janar), Sino Llanaj së bashku me një grup personash të tjerë shoqërues të tij, kishin mbërritur në hyrjen e pallatit dhe kishin tentuar që të hynin brenda tij, por nuk janë lejuar nga roja, i cili ka mbetur i lënduar. Pas kësaj ka mbërritur biznesmeni Allmuça, po ashtu i shoqëruar nga persona të tjerë, dhe ka qëlluar me armë në drejtim të Sino Llanajt, ndërsa si pasojë e një plumbi që ka bërë rikoshet, ka mbetur i plagosur dhe kalimtari Gomina.
Por duket se një tjetër ngjarje ka ndodhur në këtë pallat, ku vetëm 6 muaj më parë roja i objektit u gjet i vdekur, ndërsa policia e deklaroi si një ngjarje aksidentale. Asokohe, policia njoftoi se N.B., rreth 50 vjeç mund të kishte rënë nga lartësia.
Llanaj është investitori i parë i pallatit, i cili u ka marrë mijëra euro qytetarëve për shitjen paraprake të banesave, që më pas janë lënë ende pa u përfunduar nga ana e biznesmenit Allmça. Qytetarët që kanë blerë te ky i fundit kanë hyrë në banesat e tyre të cilat janë të përfunduara, edhe pse objektit nuk i është bërë kolaudimi nga ana e shtetit.
Llanaj dhe Allmuça janë në një proces gjyqësor që prej vitit 2019, ndërsa Gjykata ka vendosur që afati i punimeve të shtyhet deri në vitin 2022, edhe pse afati në kontratat e firmosura me qytetarët, ka qenë viti 2019.
Në deklarimet e tyre për Fax News, të shtunën, banorët u shprehën se kërkonin që ti përfundonin vetë punimet në apartamente, po Albert Allmuça i pengonte hyrjen për shkak të konfliktit që kishte me Llanajn.
Të shtunën (9 Janar), edhe pse Policia ishte e pranishme, biznesmeni Llanaj mbeti i lënduar pas konfliktit fizik, ndërkohë që autorët, pavarësisht se e gjitha ngjarja u zhvillua në praninë e mediave, gjetën guximin që edhe sot të ngrinin armën dhe të qëllonin. (LEXO EDHE KETU LAJMIN)
(E.K/Faxweb.al)