Gjykata Penale E Trianë, ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dy biznesmenët, Albert Allmuça dhe Sino Llanaj.
Ndërkohë që gjyqtarja Rexhina Merlika ka caktuar “detyrim paraqitje” për tre punonjësit e sigurisë së kompanisë, Shkëlzen Byberi, Skënder Margjeka dhe Alfred Lumani. Në seancën e sotme, ka munguar biznesmeni Sino Llanaj, i cili për shkak të plagës së marrë e ka pasur të pamundur të marrë pjesë në gjykim, duke deleguar avokatin e tij.
Ky i fundit sqaroi se klienti i tij, ndodhej në një spital privat në Tiranë duke u rikuperuar.
Gjatë seancës, prokurori Dritan Nushi sqaroi gjithë zanafillën e ngjarjes, duke bërë me dije se njëri nga rojet ka qëlluar Llanajn me armë zjarri, dhe ka kërkuar që të gjithë t’u vendoset masa e sigurisë “arrest me burg”.
“Midis dy biznesmenëve Llanaj dhe Allmuça, bashkëpronar, ka patur konflikt të vazhdueshëm prej kohësh. Javët e fundit ka patur përplasje fizike, por hera e fundit ka sjell përdorim të armëve të zjarrit. Rezulton se megjithëse janë këshilluar disa herë, herë pas here kanë sjell pasoja me përplasje fizike. Në rastin në fjalë është njoftuar policia, e cila ka shkuar në vendngjarje. Janë fiksuar gëzhoja, plumba të pa plasur, gjak dhe janë mundur të kapen në flagrancë tre rojet, që i përkasin. Në hetimet e para është bërë e mundur sekuestrimi i kamerave në perimetër shumë të gjerë. Si pasojë e veprimeve të dhunshme rezulton se Llanaj i shoqëruar nga një grup prej 12 personash ka shkuar tek kompleksi ne fjalë. Pas një konflikti me rojet e kompleksit dhe me persona të tjerë të paautorizuar. Personat që kanë qëlluar kanë njohje me Allmuçën, por ata mohojnë se njihen. Policia i ka identifikuar, por nuk janë gjetur në banesat e tyre. Nuk rezultojnë të kenë dalë nga Shqipëria, pasi në TIMS rezultojnë të jenë brenda territorit. Po punohet intensivisht për kapjen e këtyre dy personave që janë në kërkim si autorët kryesor që kanë përdorur armët. Janë përdorur edhe armë të ftohta në këtë ngjarje. Njëri nga rojet ka qëlluar me armë të ftohtë Llanajn. I kërkojmë gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të gjithë,”-u shpreh hetuesi.
Ndërsa Albert Allmuça ka folur lidhur me zanafillën e sherrit me biznesmenin tjetër, duke e cilësuar si një person konfliktues me të cilin ka pasur zënka të shpeshta, ndërsa teksa fliste nuk i ka ndaluar as lotët.
“Prej tre vitesh kam konflikte me Llanaj. Viti i fundit ka qenë një vit tmerri për mua, një herë në 10 ditë kam patur konflikte. Zotëria ka qenë gjithmonë konfrontues, arrogant, konfliktues. Kam provuar të gjitha mjetet ligjore me të. Vinte në çdo kohë me 10 apo 15 veta për të bllokuar punimet. Mendoj se incidentin e ka krijuar qëllimisht. Ka ardhur me 10 apo 15 veta në ditën e ngjarjes, me armë, me thika e me leva. Nuk kam me tepër informacion, më kanë marrë në telefon dhe më kanë treguar çfarë ka ndodhur (përlotet). Kam ikur menjëherë në kamntier dhe kam takuar efektivët e Komisariatit nr. 2 dhe më kanë komunikuar se isha i dyshuar se unë e kam plagosur Llanajn. Kam dhënë deklarimet e mia në komisariat,”-shtoi ai.
Disa ditë më parë, një përplasje me armë zjarri ndodhi tek ish-Parku. Biznesmeni Sino Llanaj shkoi të hakmerrej për rrahjen e mëparshme që iu bë tek Astiri, tek pallati ku ndodhej ish-ortaku. Ai bashkë me disa persona të tjerë u përplasën me rojet, ndërsa dyshohet se Allmuça e ka qëlluar me armë zjarri. Nga të shtënat është plagosur biznesmeni, një kalimtar dhe roja i pallatit. Pas ngjarjes, policia i arrestoi të gjithë personat e përfshirë, ndërsa ende nuk ka një vendim nga kompania Star Contruction për banorët që kanë blerë banesat tek ortaku Sino Llanaj.