Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur në takimin elektoral në qytetin e Shkodrës, ashpërsoi retorikën politike, duke kërkuar votën e shkodranëve të cilët sipas tij nuk duhet të mbeten peng i komunizmit dhe e së shkuarës. Rama u shpreh se kur i jep votën një idioti mbetesh peng i tij, duke iu referuar Bashkisë së Shkodrës, të cilën e konsideroi si shembull të injorancës,
“Bashkia është shembulli më drithërues i injorancës dhe prapambetjes duke shkuar qorrazi drejt të ardhmes. I kemi ardhur rrotur, kemi ndërtuar rrugën Shkodër- Velipojë, premtim i PD dhe e ndërtuam ne. E ndërtuam sepse s’kishim nevojë të merrnim leje në Bashki. Edhe me stadiumin e ri. Ata duan ta mbajnë Shkodrën në këtë gjendje sepse në këtë gjendje mbretërojnë pa probleme. Ushqejnë përçarjen, duke nxitur urrejtjen dhe për të thyer xhama e për të thirrur: Poshtë Komunizimi.
Komunizmi ka vdekur dhe mban peng vetëm Shkodrën, nga këta që e përdorin komunizmin për të marrë peng gjithë Shkodrën. Nuk mundet dot ti të shkosh të votosh, sikur shkon për të bërtitur në stadium ditën e diel, se të hënën dita vazhdon. Dhe kur ti ja jep votën një idioti, je peng i tij. Shkodra ka mbetur peng e një idiotësie prej 30 vitesh, me idenë se po i reziston komunizmit, që ka vdekur dhe që s’ka asnjë shans të ringjallet, por rri gjallë në formën e fantazmës këtu në Shkodër.
Si prishet fare terezia asaj kryetares së Bashkisë se çfarë ndodh me plehrat. Shkodra është qyteti më i pistë i Shkodrës, ku nuk mblidhen plehrat. Është qyteti me më shumë gropa në vend. Këtu është qytet që ka mbetur ora. Por, punët e veta edhe kryetarja e bashkisë, edhe ata të shpurës së PD, që venë e vinë sa këtu sa në Tiranë për të bërë deputetin e Shkodrës, i kanë në terezi. Lufta që bëjnë sot është prapë për punët e tyre, jo për punët e Shkodrës apo të Shqipërisë”, tha Rama.