Agjencia e Prokurimit Publik ka përjashtuar nga pjesëmarrja në tenderë publik për 2 vite kompaninë 4 A-M SHPK e përfolur si përfituesja e tenderit të dyshimtë të lotit të 3 të rrugës së Porto Romanos (lexo).
Kjo lëvizje surprizë vjen mes të një gare thuajse të fituar, ku operatorit 4 A-M shpk, i kualifikuar si i përshtatshëm për të marrë pjesë, APP vendos ti mbajë frenat, për të paktën 2 vite.
Procedimi administrativ i cili mban datën 4 gusht 2020, ka nisur pas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit të datës 27.07. 2019 ku vërtetohet se kjo kompani ka keqinformuar për qëllime kualifikimi në procedurën e tenderimit të zhvilluar nga AK, sa i takon vetëdeklarimit mbi mosangazhimin e inxhinierëve të kërkuar.
Shkresa më poshtë:
Gjithashtu po në bazë të kësaj shkrese ndaj kompanisë 4 A-M, APP ka nisur dhe procedimin administrativ pas marrjes së informacionit nga Inspektorati i Punës se ne periudhën 15.09. 2019 ndaj tij janë marrë masa administrative me gjobë ndërsa operatori merrte pjesë në 3 prokurime publike.
Por çudirat nuk mbarojnë këtu, burimet për Faxweb.al bëjnë me dije se Gjykata Administrative ka pezulluar brenda ditës vendimin e Agjencisë të Prokurimit Publik, një akt ‘rekord’ i pandodhur asnjëherë më parë.
Faxweb po investigon për këtë çështje dhe do të sjellë fakte të reja mbi abuzimin dhe nga organet gjyqësore, të cilat rrëzojnë në mënyrë flagrante procedimet e institucioneve shtetërore ndaj operatorëve ekonomik të kapur në shkelje të rënda.
Historia e ‘suksesit’ të një kompanie e cila në 2 vite përfitoi miliarda lekë nga buxheti i shtetit
Kompania 4-A-M shpk, u regjistrua në QKB në vitin 2009, me administrator Ardit Metaliaj, ndërsa ecuria financiare deri me 2016-ën shënonte rritje të ulët.
Sipas të dhënave të marra nga Open Procurment Albania, rezulton se kompania pati një shpërthim të frikshëm duke shumëfishuar fitimet vetëm pas vitit 2016, kryesisht me tenderë publik.
Sipas të dhënave të “Open Procurment Albania”, “4 A-M”, që prej vitit 2016, në 21 tendera ku ka garuar e vetme, ka fituar nga qeverisja vendore rreth 14 miliardë Lekë –pa TVSH.
Ndërsa në bashkëpunim me kompani të tjera – po nga qeverisja vendore, dy tendera në sektorin e shëndetësisë dhe një nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka përfituar më shumë se 11 miliard Lekë pa TVSH.
Ndërsa 4 A-M ishte pothuajse në çdo tender me vlera qindra milionë lekë, shumë konkurrentë filluan të s’kualifikoheshin edhe pse kishin ofertën më të ulët, një skemë e cila po përsëritet dhe në ndërtimin e lotit të 3 të Porto Romanos.
Në ‘xhunglën’ e tenderëve publikë shumica e subjekteve shprehen se pas kësaj kompanie fshihet biznesmeni Bashkim Ulaj, i cili synon marrjen e tenderëve multimilionëshe nëpërmjet subjekteve të krijuara nën emra të tjerë me të cilët është e pamundur lidhja e drejtpërdrejtë, duke shmangur kësisoj dhe ekspozimin me kompaninë zyrtare ‘Gener 2’.
Bashkim Ulaj, një tropojan i cili për ironi po masakron me HEC-e Parkun Kombëtar të Valbonës vendosi tu ikë prozhektorëve mediatikë pas skandalit me ndërtimin e disa kullave 17 katëshe pranë digës tek Liqeni Artificial në Tiranë dhe shpërthimit të skandalit të DH Albania në projektin e ndërtimit të Unazës së Madhe (lexo).
Por zhvendosja në hije e Gener 2, ka nxjerrë në dritë një tjetër kompani, shumë e suksesshme në përfitimin e tenderëve më fonde publike.
Sipas të dhënave të grumbulluara nga Faxweb.al rezulton se 4 A-M ka përfituar miliarda lekë nga arka e përbashkët, ndërsa shumë institucione si Kontrolli i lartë i Shtetit prej së paku 1 viti kanë përpiluar raporte me shkelje të ndryshme nga kjo kompani e cila me sa duket së bashku me Gener 2 ‘mbijetesën’ e kanë vetëm nga xhepi ynë. (Faxweb.al)