Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk do të votohen këtë të enjte. Burime kanë bërë me dije se nuk do të kalojë këtë javë në Kuvend, ndonëse vetë mazhoranca kishte vënë afatin 1 Tetor.
Tërheqja nga data e paracaktuar në kalendar vjen pas qëndrimeve të ambasadores Yuri Kim, e cila i bëri thirrje palëve që ti qëndrojnë marrëveshjes së 5 Qershorit. Grupi i punës kërkon më shumë kohë ndaj nuk do të ketë një seancë tjetër për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në rast se do të mblidhet sërish Këshilli Politik dhe do të merret parasysh drafti i propozuar nga opozita e bashkuar jashtëparlamentare për listat e hapura dhe koalicionet.
Kujtojmë se ditën e sotme u mbajt mbledhja e Komisionit të Ligjeve që miratoi në parim ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pas paraqitjes se disa nismave për ndryshimet në Kodin Zgjedhor me shumicë në Komisionin e Ligjeve u vendos që në parim të miratohen për tu kaluar më pas në diskutimin nën për nen.
“Bashkimi i nismave në një dhe të gjithë amendamentet dhe të kolegëve të tjerë do të bashkohen dhe do të shqyrtohen në një tekst të integruar. Nesër diskutime për ndryshimet nen për nen,” është shprehur Manja, kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve.