Komisioni i Ekonomisë ka miratuar ditën e sotme projektligjin i cili i hap rrugën trajtimit financiar shtesë për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët.
Në ligjin e ri, po ashtu është e parashikuar edhe mosha e daljes të këtyre klasave si dhe përqindja që do t’ju shtohet për çdo vit pune në pensionin e pleqërisë.
Sipas ligjit, dalja në pension për punonjësit e minierave është përcaktuar të jetë në moshën 55 vjeç, 10 vjet përpara moshës ligjore të daljes në pension.
Ndërsa, përsa i përket naftëtarëve dhe metalurgëve, ligji i ri shprehimisht përcakton se mosha e daljes në pension do të jetë 60 vjeç.
Minatorëve do tu shtohet me 1% për çdo vit pune pensioni i pleqërisë ndërsa për naftëtarët dhe metalurgët shtesa është 0.6% e pensionit për çdo vit pune.
Bazuar në vjetërsinë e punës, minatorët përfitojnë një shtesë minimalisht prej 12.5 % të vlerës së pensionit që del aktualisht, ose 2 900 Lekë në muaj, ndërsa naftëtarëve e metalurgëve pensioni u rritet me 12 %, e cila i korrespondon një vlere prej 1 400 lekësh në muaj.