Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi është takuar ditën e sotme me kryenegociatorin e Shqipërisë për Bashkimin Europian Zef Mazin. Në një postim të bërë në Twitter, komisioneri euroian bëri të ditur takimin me krenegociatorin Mazi, si dhe theksoi se ky takim ishte në kuadër të përgatitjes së hapave të ardhshëm për hapjen e negociatave.
Postimi i plotë: U takova me negociatorin e sapoemëruar të Shqipërisë për integrimin Zef Mazi këtë mëngjes për të diskutuar përgatitjet dhe hapat e ardhshëm në funksion të vendimit për hapjen e negociatave. Gjithashtu theksova rëndësinë e përparimit të reformave.
Kujtojmë se Parlamenti Europian ka përfshirë në rezolutën për hapjen e negociatave me Shqipërinë, 15 kushtet, vënë nga BE, të cilat Shqipëria duhet t’i ketë përmbushur përpara mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ndër kushtet e vendosura që mund të theksojmë është miratimi i Reformës Zgjedhore, përparimi i Reformës në Drejtësi si dhe bërja sa më parë funksionale e Gjykatës Kushtetuese.