Një 21-vjecar nga Burreli është denoncuar i zhdukur nga nëna e tij. Bëhet fjalë për Klevis Lleshin nga fshati Rukaj, por me banim në Kamzë Tiranë.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë dhe prokurorisë së Matit, të cilat thanë se kanë çelur një hetim lidhur me rastin, ndërkohë që një nga pistat ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes, pas përplasjes që vijon prej vitesh mes dy fiseve Lleshi dhe Hoxha.
Nëna e të riut iu drejtua policisë dhjetë ditë më parë dhe deklaroi se kishte humbur cdo kontakt me të birin. Ajo ka ngritur dyshime se djali mund të jetë vrarë, për shkak të hasmërisë që familja Lleshi ka me një tjetër familje në rrethin e Matit.
Klevis Lleshi ndërkohë ishte në kërkim nga policia, përderisa kishte kanosur për ta vrarë Mariglen Hotin. Sipas nënës, ai kishte shkuar në Burrel ditën që në gjykatë do të zhvillohej një seancë kundër tij dhe ajo i ka kërkuar të dorëzohet.
Por, ai nuk ka pranuar dhe pasi kanë konsumuar një kafe janë ndarë dhe prej atij momenti, gruaja deklaron se nuk ka asnjë dijeni për vendndodhjen e të birit. Të kontaktuar zyrtarë të policisë thanë se kanë dyshime se familja mund të ketë bërë denoncim të rremë, me qëllim që djali ti fshihej drejtësisë.
Faxëeb.al ka mësuar se Klevis Lleshit i është vrarë në 2013 babai i tij Xhaviti, tri vite më vonë, në 2016, i është ekzekutuar xhaxhai po atë vit i është zhdukur pa gjurmë kushëriri. Për këtë shkak, edhe pse në sekret të plotë, prokuroria po heton edhe në zhdukjen e të riut për motive gjakmarrje.
Xhavit Lleshi është goditur nga 15 plumba kallashnikovi që i kanë shkaktuar atij vdèkjen e menjëhershme, ndërsa personat kanë shfrytëzuar terrenin e mbjellë me dushqe, për t’u larguar pas kryerjes së vrasjes.
Mësohet se viktima është shenjëstuar edhe në 2 atentate të ndryshme. Në prill të 2013, po në fshatin Pujk ai është qëlluar me armë disa herë, por asokohe mundi të mbijetonte.
Ndërkohë që një prej të afërmve të të riut që është zhdukur është duke vuajtur një dënim me 32 vite burg për vrasjen e një prej anëtarëve të familjes Hoxha. Arben Lleshi u ekstradua disa kohë më parë nga Anglia për vrasjen e Afrim Hoxhës, i cili u gjet i vrarë dhe i djegur brenda makinës së tij në Londër, dhe po vuan dënimin në Shqipëri.
(E.K/Faxweb.al)