Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim tre ish-parardhës në detyrën e saj të re si Presidente e Kosovës, me të cilët ka folur mbi eksperiencën e tyre në këtë detyrë të rëndësishme.
Osmani mendon se vendi i saj mund të ecë përpara nëse respekton kujtesën dhe traditën institucionale. Me këtë moto, Osmani priti të martën tre ish-paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiun, Behgjet Pacollin dhe Atifete Jahjagën, për të marrë nga ta përvojat në krye të shtetit.
“Kjo është e domosdoshme nëse dëshirojmë që shteti ynë të ecë përpara duke mësuar ata që i kanë shërbyer shtetit, qoftë këtij institucioni, qoftë institucione të tjera në periudha të ndryshme. Po ashtu për të ndërtuar një model të ri të konsultimit të vazhdueshëm me ish-presidentët, sidomos me çështje që janë të interesit nacional, të mirëqenies së qytetarëve tanë,” tha Osmani.
Sejdiu është presidenti i parë i Kosovës në pavarësi, post që e mbajti për 4 vite nga 2006-ta. Ai e vlerësoi zgjedhjen e Osmanit si kryeshtetare, bashkë me ish-homologun, Pacolli.
“Mendoj që është një zgjedhje e mirë. Natyrisht Kosova tash e sa kohë është me peripeci në proceset zgjedhore, por që ka marrë mbështetjen e institucionit më të lartë të vendit. Ajo përgjegjësi e marrë do të materializohet me veprimtari të pandërprerë, suksesshme dhe në dobi të vendit, të punoni drejtë bashkëpunimit të thellë institucional me institucionet e vendit. Me parlamentin, qeverinë dhe institucionet e tjera dhe me shoqërinë civile,” u shpreh Sejdiu.
“Jam i lumtur që Kosova ka një përfaqësim dinjitoz dhe ne do të qëndrojmë prapa me fuqinë tonë që kemi, atë që dimë dhe atë që mundemi. Një është e sigurt që vullneti dhe dëshira nuk mungojnë”, deklaroi Pacolli.
Jahjaga, presidentja e parë grua e Kosovës, tha se Osmani është zgjedhja e duhur, veçanërisht për avancimin e rolit të gruas në shoqëri.
“Jeni duke vazhduar një traditë jashtëzakonisht të mirë të konsultimit dhe koordinimit edhe me ish-presidentët. Ky është funksioni edhe detyra e presidentit të vendit. Jeni zgjedhja e duhur në momentin e duhur për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, veçanërisht për gruan e Kosovës, kemi shumë punë për të bërë së bashku,” tha Jahjaga.
Tre ish-presidentët shprehën gatishmërinë për të ofruar kontributin e tyre për presidenten Osmani. Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës më 4 prill, e pesta udhëheqëse shteti dhe e dyta grua në postin më të lartë të Republikës.
(E.H/Faxweb.al)