Edhe në Maqedoninë e Veriut fatkeqësisht vijon të rritet numri i personave të prekur nga koronavirusi si dhe i vdekjeve për shkak të tij ku së fundmi burime bëjnë me dije se është ndarë nga jeta një 66-vjeçare nga Struga.
Ajo është bërë zyrtarisht viktima e katërt e infektuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ndërsa mësohet se ndërroi jetë sot në mëngjes, ku mësohet se më herët ka qenë në Dibër.
66-vjeçarja atje ka pasur kontakte me një mjek që më pas rezultoi i infektuar me COVID-19.
“Për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes së pacientit, mjeku amë ka rekomanduar shtrimin në spital në repartin e Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Ohrit. Ministria njofton hetim të plotë të rastit për të përcaktuar nëse ka pasur lëshim mjekësor”- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë në vendin fqinj.
Ajo e zhvilloi testin vetëm katër ditë më parë, teksa sot është ndarë nga jeta. Edhe burri i saj ka rezultuar pozitiv. Deri më tani në Maqedoni numërohen 241 të prekur, 4 viktima, 3 të shëruar ndërsa 1 ndodhet në gjendje kritike për jetën.