I ftuar në studion e FaxNews ka qenë eksperti i ekonomisë Pano Soko, për të diskutuar për raportin e publikuar nga DASH, në të cilin jepen informacione rreth korrupsionit dhe shantazheve që ka bërë qeveria për të mbajtur pushtetin e saj. Soko u shprehë që shqetësues nga raporti i DASH është sistemi gjyqësor, për të cilin DASH nuk pati nota optimiste, nga sistemi gjyqësor varet reforma në drejtësi, që ka si synim zhdukjen e korrupsionit dhe stabilizimin e Shtetit të së Drejtës.
Për lirinë e medieve, që DASH e kategorizonte si të cunguar, eksperti i ekonomisë thotë që ishte e pritshme dhe se në Shqipëri është bërë procesi i përshtatjes me këto fenomene të tilla si korrupsioni dhe blerja e medieve për të influencuar më pas në skenën politike. Në Shqipëri, shton Soko, është duke u vepruar siç veprohet në një vend lufte, pasi aktet normative shërbejnë pikërisht për ato rrethana, ndërsa qeveria jonë mbivendoset mbi gjykatën dhe Palamentin dhe nëpërmjet Këshillit të Ministrave del e vendos çfarë do aktesh normative ka dëshirë sipas ekspertit. Ndër të tjera Soko përcakton se në Shqipëri, nuk ka shtet, por pushtet dhe këtë pushtet e ka marrë të gjithin për vete kryeministri Edi Rama.
Gazetarja: Çfarë ju bëri më shumë përshtypje te raporti i publikuar?
Pano Soko: Nuk besoj se kishte diçka të re, në krahasim me raportet e shkuara, ka qenë e njëjta pasqyrë e zymtë e paraqitur prej vitesh, që vazhdon me problematika të njëjta. Ajo që më bëri përshtypje, është që ka filluar të evidentohet frika se sistemi gjyqësor nuk mund të jetë aq imun sa është menduar më parë. Këtë e gjeta shqetësuese, prisja që DASH të kishte nota më optimiste, se gjithë shpresat që do prodhohet një drejtësi e re, ishin varur të gjitha te reforma në drejtësi. Në mënyrë materiale ishin të varura te partnerët ndërkombëtarë. Çështja e lirisë së medieve është e kotë ta diskutojmë, fakti që këtu mediat janë pengje të interesave ekonomikë, të cilët prodhojnë realitete mediatike që influencojnë opinionin e njerëzve, ky është fakt i mbarënjohur. Nuk bën më as përshtypje kur e thua, pavarësisht se është paradhoma e diktaturës. Pavarësisht rëndësisë që mund të ketë ky informacion, fakti që evidentohet kaq shpeshë, ka luajtur rolin e kundërt.
Gazetarja: Siç është korrupsioni, krimi i organizuar…
Pano Soko: E njëjta gjë, si ndodhi me korrupsionin, duke qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me virusin, njeriu imunizohet dhe kështu është imunizuar dhe nga korrupsioni. Ka humbur vlerën denoncimi i korrupsionit, sepse nuk quhet liri fjale kur ke të drejtën ta thuash fjalën, po kur dëgjohet dhe kuptohet ajo. Problemi është që inflacionimi i këtyre koncepteve në shoqërinë shqiptare është shumë i rrezikshëm, sepse ndodh ajo që quhet procesi i përshtatjes.
Gazetarja: Dua të ndalemi tek ajo që ju ka bërë përshtypje, që lidhet me atë paragrafin që thotë se vendimet e qeverisë prevalojnë para vendimeve që jepen nga gjyqësori, sa ndikon kjo dhe te biznesi?
Pano Soko: Biznesi është në radhët e asaj pjese të shoqërisë që kanë ndjeshmëri të lartë nga pikëpamja e zbatimit të ligjit, sepse biznesi garancinë e tij e ka te zbatimi i ligjit. Jo më kot dhe në raportin e Doing Business, moszbatimi i ligjit është një nga faktorët kryesorë që investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri. Del vendimi i Kshillit të Ministrave, merr autoritetin e gjyqësorit dhe të institucioneve të pavarura. Ky nuk është më shtet, këtu nuk ka shtet, ka pushtet. Sepse nuk ka institucione, po ka individë. Është Edi Rama. Merr vendime, pa pritur se çfarë vendos gjykata. Është kthyer në sistem, edhe kur u prish resorti në Durrës, kishte pikërisht këtë fakt, duhet të priste gjykatën, po ai ikën atje dhe e shkatërron. Ne në Shqipëri operojmë me akte normative, sikur jemi në gjendje lufte. Autoritetin që vendos se si duhet të ndahet buxheti i shqiptarëve, e ka ekskluzivisht Parlamenti. Qeveria mbivendoset, nxjerrë aktin normativ dhe na rroftë Parlamenti! Këto ndodhin sepse nuk ka shtet.
Gazetarja: Janë këto raporte nga DASH që evidentojnë çdo vit pothuajse të njëjtat probleme, që lidhen me korrupsionin në qeveri. Sërish qeveria votohet, si është e mundur?
Pano Soko: Se si votohet, sa vjedh qeveria, si orientohet vota në momentin e fundit, kjo kërkon një natë të gjatë dimri për ta diskutuar, faktorët këtu janë nga më të ndryshmit. E para, kapja e opozitës që ka ndodhur, ne kemi pasur një opozitë partnere të qeverisë, një partnere biznesi, e dyta makinacionet për dëmtimin e opozitës dhe shkretimin e palës tjetër. Ideja është që qeveria ka në dorë të drejtojë mirë vendin, të rrisë mirëqenien, ose bën komplet të kundërtën dhe arrin t’i fitojë zgjedhjet duke dëmtuar palën tjetër. Këtë ka bërë qeveria shqiptare, nuk është futur në gara për të bërë një punë më të mirë se qeveria pararend, dëmtoi opozitën, kjo ka qenë metoda si ka operuar.