Shtrenjtimi i çmimeve ka rënduar edhe buxhetet e familjeve fierake, të cilat tashmë duhet të shpenzojnë më shumë për të mbajtur të njëjtin nivel jetese. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe jo vetëm po bën që qytetarët të kenë të vështirë të mbijetojnë deri në fund të muajit.
Ata ankohen se në këtë gjendje pa rritje pagash është vështirë të gjenden zgjidhje dhe për produktet më esenciale. Produktet bazë ushqimore si buka, vaji, mielli, sheqeri apo vezët e së fundmi dhe produktet e bulmetit kanë vënë më së shumti në vështirësi pensionistët, pasi nuk ia dalin dot me të ardhurat.
Po të mos kishim ndihmën e fëmijëve emigrantë do të ishim harruar prej kohësh thonë ata teksa theksojnë se jo pak herë e gjejnë veten në listën e borxheve në minimarketet e lagjeve apo në farmaci.
“Ça do kursejmë më parë, bujqësia po shkon 0. Vetëm për të ngrënë se tjetër gjë s’bëjmë dot! Janë rritur vajrat, ushqimoret ndërsa prodhimi i fshatarit merret lirë dhe e shesin sa s’bën këtu tregtarët”-tha një nga qytetarët.
“Vetëm për ilaçe i marrim lekët. Po të mos na japi çuni noj lekë vdesim, mirë që ka nusen e mirë se kishim vdek. Dua të shkoj edhe unë në plazh se gjyshe jam, më dhembin gjunjët. Ishalla bie bomba, nuk kam atë numrin e Putinit”-u shpreh një qytetare tjetër.
Për tu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë qeveria shqiptare miratoi një 3 mijë lekësh ndihmë për pensionistët dhe invalidët për 3 muaj. Pas kësaj ende nuk ka asnjë masë as me ndihmën financiare apo në uljen e taksave.
Ndërkohë konsumatorët fierakë po e shohin gjendjen e tyre financiare të rëndohet muaj pas muaji që prej nisjes së këtij viti dhe presin vetëm përkeqësim dhe në të ardhmen e afërt duke i bërë që buxhetet e tyre të shkojnë më shumë drejt shpenzimeve bazë dhe të shmangin ato joprioritare pa asnjë mundësi për kursim.