Damian Gjiknuri ka zgjedhur një aksion në ishullin e Sazanit, për të sulmuar edhe publikisht kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Lelin, edhe pse duhet pranuar që tonet janë shumë më të buta se shkrimet e hedhura në rrjetet sociale nga eksponentë të tjerë socialiste.
Ishte fillimisht ministri i Turizmit, Blendi Klosi, ai që nuk pranoi të bënte komente për Lelin, duke ia lënë topin ‘deputetit të zonës’, siç e quajti ai ish-ministrin Damian Gjiknuri, i cili nga ana e tij vendosi theksin te aksioni i pastrimit, dhe nevoja që edhe bashkia të bëjë detyrat e saj.
Në takim nuk ishte i pranishëm vetë Leli, por në vendin e tij ishte e pranishme nënkryetarja e bashkisë, që për Gjiknurin është një zonjë e nderuar.
“S’mund të jap përgjigje direkte për atë që më pyetët, falenderoj ministrin Klosi që i qëndron shumë afër Vlorës dhe turizmit këtu, por edhe zv.ministrin e mbrojtjes, që po bëjnë të mundur vizitën në ishull, por pse jo të kontribuojnë për pastërtinë.
Pastrimi është kryefjalë e turistëve, dhe një shqetësim kryesor bë Vlorë, Bashkia dhe kushdo duhet t’i kushtojë shumë vëmendje. Pa pastrim ne kurrë nuk do të kemi turizmin që presim, secili nga ne të japë kontributin e tij, unë e vlerësoj dhe e pres që institucionet lokale të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse duhet menduar dhe një plan menaxhimi për ishullin.
Ishulli është pjesë e bashkisë së Vlorës, dhe është pjesë e lidhjes së turizimit të Bashkisë Vlorë. Kemi një zonjë të nderuar që është zëvendëskryetare e bashkisë, që është po ashtu e pranishme këtu, janë një varg institucionesh që duhet të bëjnë punën e tyre”, tha Gjiknuri.
Këto deklarata të Gjiknurit vijnë në një kohë kur socialistët e Vlorës po lëvizin të gjithë durët për shkarkimin e Lelit, duke stisur disa ballafaqime publike, në Teatrin e qytetit, të cilat Leli nuk i ka pranuar me pretendimin se bëhen në shkelje të rregullave të pandemisë.
(E.K/Faxweb.al)