Me një postim në rrjetin social Facebook lëvizja “Për Universitetin” ka paralajmëruar sërish ngritjen në protestë të studentëve.
Është lëvizja “Për Universitetin” ajo e cila ka bërë njoftimin duke përmendur këtu dhe kërkesat e studentëve të paplotësuara.
Ndërkohë që sipas studentëve tarifa e masterit është rritur me 40 mijë lekë të reja. Nga ana tjetër bursa e ekselencës që përfitojnë studentët me mesatare 9-10, prej 10 mijë lekë të reja, akoma nuk është marrë.
Ende nuk dihet nëse do ngrihen apo jo studentët në protestë, por në Universitetin e Tiranës ka filluar normalisht mësimin dhe studentët u janë rikthyer auditorve.
Postimi i plotë:
Gjatë takimit propagandistik të radhës, kryeministri Rama u kujtoi studentëve se si qeveria nuk ka ndër mend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.
- Në vend të uljes së tarifave në të gjitha nivelet, ai propozoi investime imagjinare në universitete. Pa plan, pa shifra e pa afate.
- Në vend të demokratizimit të universiteteve duke u dhënë fuqi të barabartë studentëve dhe pedagogëve, ai ripohoi pushtetin e bordeve të kontrolluara nga qeveria.
- Në vend të fuqizimit të studentëve në kontrollin e pedagogëve abuzues – nga mitmarrja e shitja e detyruar e librave te plagjiaturat – ai premtoi se do të fusë ruspën shtetërore në universitet. Jo për të ndryshuar situatën, por për të zëvendësuar bajraktarët që nuk kontrollon me bajraktarë të bindur.
- Në vend të rritjes së buxhetit të shtetit për universitetet publike, ai u kërkoi këtyre të fundit të themelojnë firma tregtare për të mbuluar vështirësitë financiare.
- Në vend të rrëzimit të ligjit klientelist të arsimit të lartë, ai la të kuptohet se pronarët e diplomoreve private do të vazhdojnë të fusin duart në buxhetin e varfër të universiteteve publike.
Në këto kushte, studentëve nuk u mbetet veçse të vazhdojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet procesin e riorganizimit në bazë fakulteti për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive. Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare.