Pas dhunës fizike dhe psikologjike ndaj gruas së tij, një shqiptar në Itali ka përfunduar në prangat e policisë. Siç shkruajnë mediat vendase, 47 vjeçari murator keqtrajtonte gruan e tij 30 vjeç, ndaj edhe ka qenë e nevojshme ndërhyrja e karabinierëve. Pavarësisht denoncimit të vazhdueshëm nga ana e gruas, burri nuk ka hequr dorë madje e ka kërcënuar me vdekje në prani të ushtarakëve, apo edhe fëmijëve.
Ndaj edhe për të parandaluar një krim të mudshëm, karabinierët kanë kërkuar largimin e tij nga shtëpia, ndërkohë që mbi të rëndon edhe fakti që kërcënimet dhe aktet e dhunës janë përsëritur në sy të tre fëmijëve të çiftit.
Kohët e fundit, 47-vjeçari edhe e nxiste të birin 12-vjeçar kundër nënës së tij, deri në marrjen e qëndrimeve të patolerueshme karshi saj.
Me situatën e rëndë të familjes shqiptare është marrë kohët e fundit edhe një qendër lokale anti-dhunë, në kontakte të vazhdueshme me karabinierët për të mos lejuar pikërisht incidente si ai i mbrëmshmi që mund të vinin në rrezik gruan.
(J.D/Faxweb.al)