Ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës Florenc Hoxha është proceduar penalisht nga Policia, për shkak se ka qenë pjesë e një konflikti me një shtetas tjetër në zonën e Vaqarrit në Tiranë, mesditën e djeshme.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se Hoxha është konfliktuar me shtetasin Bledar Goga, i cili kishte një makinë me ushqime, dhe do ti shpërndante për banorët e zonës.
Sipas ish-zyrtarit të PD-së i cili është pjesë e fushatës së demokratëve, ushqimet po shpërndaheshin me qëllim blerjen e votave, dhe joshjen e qytetarëve, ndërkohë që socialistët pretendojnë se ato ishin për besimtarët myslimanë, në kuadër të muajit të Ramazanit.
Hoxha i ka bllokuar fillimisht rrugën me makinë shtetasit Goga, dhe më pas dyshohet se janë zënë me grushta me njëri tjetrin. Pas ngjarjes Goga ka braktisur mjetin me ushqime, të cilat më pas sipas kandidatit për deputet Belind Këllici, u fshehën pranë komisariatit numër 6 në Tiranë.
Nga Policia nuk u dha asnjë njoftim zyrtar për incidentin, dhe as për pretendimet e palëve.
(E.K/Faxweb.al)