Një 33-vjecar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Suharekë të Kosovës.
Në tetor të vitit të kaluar, ai pati një konflikt me disa persona të tjerë për shkak të një konflikti të hershëm dhe nën kërcënimin e armës, ka marrë me forcë në automjet një person duke e çuar në një banesë në fshatin Batër e Madhe, Burrel.
Më 08.11.2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, ka caktuar masë sigurimi “Arrest në burg” për veprat penale ”Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ndërkohë pritet që të bëhet ekstradimi i tij në Shqipëri.
Njoftimi i policisë: Vijon bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me homologët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për lokalizmin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës, Fast Albania dhe Fast Kosova është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit.
Nga Njësia Speciale Fast Kosova, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Fast Albania, u arrestua në Suarekë, Kosovë, shtetasi shqiptar S. L., 33 vjeç, banues në Burrel.
Për këtë shtetas, në datën 08.11.2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, ka caktuar masë sigurimi “Arrest në burg” për veprat penale ”Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
“Më datë 17.10.2019, Policia e Komisariatit Mat ka marrë informacion se në lagjen “Pjetër Budi”, në Burrel, po ndodhte një konflikt mes disa personave. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur hetimet për verifikimin e rastit. Nga hetimet rezultoi se shtetasi S. L., në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, dyshohet se për shkak të një konflikti të hershëm, nën kërcënimin e armës ka marrë me forcë në automjet, një shtetas, dhe më pas e ka dërguar në një banesë në fshatin Batër e Madhe, Burrel.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë së Matit u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit tip kallashnikov që ishte përdorur nga këta shtetas”.
Interpol Tirana vijon punën për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.