Policia e Durrësit ka kapur mbrëmjen e sotme dy persona që po shpërndanin të holla nëkëmbim të votës një natë para zgjedhjeve të 25 prillit. Qytetarët në fjalë u kapën në vëndin e quajtur Bishti Kamëz, ku po udhëtonin në mjetin e tyre tip “Passat”.
Sipas burimeve zyrtare, shtetasit N.M., 37 vjeç, banues në Qerret dhe Xh.T., 23 vjeç, banues në Qerret, Durrës, përfaqësues të një subjekti politik.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tyre, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 zarfë me nga 5 dhe 10 mijë lekë secili, që dyshohen se do të përdoreshin për blerjen e votes, lajmëroi policia.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për krimet zgjedhore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, shtetasit N.M., 37 vjeç, banues në Qerret dhe Xh.T., 23 vjeç, banues në Qerret, Durrës, përfaqësues të një subjekti politik
Shërbimet e Policisë nga informacionet e marra në rrugë operative se në një mjet tip “Passat” po kryheshin veprime të kundraligjshme kundrejt shit-blerjes së votës, në vendin e quajtur Bishti Kamëz, kanë ndaluar dhe kanë kapur në flagrancë dy shtetasit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 zarfë me nga 5 dhe 10 mijë lekë secili, që dyshohen se do të përdoreshin për blerjen e votës.
Gjithashtu gjatë kontrollit në mjet u gjendën fletë votimi të cikluara për një subjekt politik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.