AktualitetBotaFlashPolitikëTe FunditTe Gjitha

Kaos, raportime për përdorim armësh ndaj protestuesve dhe deklarata të fuqishme. Irani në ditën e tretë të protestave

Protestuesit iranian dolën në rrugë në ditën e tretë të demonstratave kundër qeverisë pasi ajo pranoi se rrëzoi gabimisht një avion ukrainas pasagjerësh, duke vrarë të 176 personat në bord.

Video të postuar në internet tregojnë studentët pranë universiteteve në Teheran dhe Isfahan të hënën duke brohoritur para pushtetarëve të vendit, “Klerikë shporruni!”

Në videot nga një natë më parë duken forcat e sigurisë që qëllonin me municion dhe gaz lotësjellës ndaj protestuesve në Teheran. Autoritetet mohuan se hapën zjarr por agjensia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars njoftoi se policia kishte “qëlluar me gaz lotsjellës në disa zona” në përpjekje për të shpërndarë demonstruesit.

Videot treguan se protestuesit po kolliteshin dhe pështypeshin ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga tymi i gazit lotësjellës. Zëri i Amerikës nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e videove.

Shefi i policisë së Teheranit, Gjenerali Hossein Rahimi, këmbënguli se autoritetet i trajtuan protestuesit me “durim dhe tolerancë.

“Policia nuk ka qëlluar në tubime pasi mprehtësia dhe përmbajtja kanë qenë synimi i forcave të policisë së kryeqytetit,” cituan mediat iraniane.

Protestat shpërthyen pasi Irani të shtunën pranoi se “gabimi njerëzor” bëri që një operator rakete të qëllonte avionin Boeing 737 të mërkurën e kaluar. Aksidenti ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti 16 raketa balistike në bazat irakiane ku strehohen forcat amerikane në shenjë hakmarrjeje për Presidentin Donald Trump që urdhëroi sulmin me dronë të 3 janarit në aeroportin e Bagdadit që vrau Qassem Soleimani, komandantin e Forcave Kuds të Gardës Revolucionare.

Ndërsa filluan protestat kundër udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, Trump shprehu mbështetje për demonstruesit dhe paralajmëroi zyrtarët iranianë, “Mos vrisni protestuesit tuaj”.

Duket se ka një zemërim shumë të përhapur në publik, ndaj përpjekjes fillestare të qeverisë për të mohuar përgjegjësinë për rrëzimin e avionit.

“Mund të them vetëm se mohimi dhe fshehja e të vërtetës gjatë tre ditëve të fundit, e shtoi vuajtjen dhe dhimbjen e familjeve”, thotë Zahra Razeghi, një banore e Teheranit.

“Media jone u përpoq ta përshkruante si një çështje teknike, për shkak të interesave të tyre dhe arsyeve politike”, thotë Saeed, një banor i Teheranit.

Ambasadori i Britanisë u arrestua për një kohë të shkurtër të shtunën. Ai tha se ishte në një ceremoni për nder të viktimave, por u largua kur filluan protestat. Protestues pro-qeveritarë u mblodhën para ambasadës britanike të dielën, duke kërkuar dëbimin e tij.

Presidenti Donald Trump shprehu mbështetjen në Twitter për demonstratat anti-qeveritare dhe paralajmëroi Teheranin kundër “një masakre tjetër ndaj protestuesve paqësorë”, siç u shpreh ai.

Agjencia iraniane e lajmeve, Fars tha se demonstruesit kishin grisur postera të gjeneral Qassem Soleimanit, që u vra nga një goditje ajrore amerikane, në fillim të këtij muaji.

Irani u kundërpërgjigj me goditje me raketa ndaj dy bazave ushtarake të përdorura nga forcat amerikane dhe perëndimore në Irak.

Avioni ukrainas u godit aksidentalisht nga një raketë, menjëherë pasi ishte nisur nga aeroporti i Teheranit të mërkurën në mëngjes.

Për tre ditë Irani e mohoi se kishte goditur avionin. Të dhënat e hetuesve nga vendngjarja, e detyruan qeverinë iraniane ta ndryshonte variantin e saj. Komandanti i Përgjithshëm i Trupës së Gardës Revolucionare të Iranit, që ishte përgjegjëse për incidentin, foli para ligjvënësve në parlament të dielën.

“Ne ishim dhe vazhdojmë të jemi në luftë me Amerikën. Ne jemi ushtarë të këtij vendi dhe të përkushtuar ndaj këtij populli. Betohem para zotit se do të kisha preferuar që të kisha qenë në atë avion dhe të isha rrëzuar me ta dhe të mos të kisha qenë dëshmitar i këtij incidenti tragjik”, tha gjeneral Hossein Salami.
Qeveria e Iranit duket se po kalon nga një krizë në tjetrën: së pari vrasja e gjeneralit të saj më të lartë nga Shtetet e Bashkuara, pasuar nga dënimi botëror lidhur me mënyrën se si reagoi pas goditjes me raketë të avionit. Tani Irani po përballet me presion nga populli i vet./VOA

Fjalët Kyce

A ju duket i drejtë vendimi i qeverisë Rama për të kufizuar dhe lëvizjen e këmbësorëve si masë për të parandaluar përhapjen e COVID 19?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *