Kandidati i pavarur në Qarkun Dibër për zgjedhjet e 25 Prillit, Elton Debreshi ka dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër pragut 1% për t’u zgjedhur deputet i kuvendit të Shqipërisë në 25 prill.
Në një status në Facebook, Elton Debreshi shkruan se ky prag është diskriminues sepse kandidatëve të pavarur iu kërkohet më shumë vota sesa partive politike.
“Ky prag diskriminon kandidatët e pavarur, të cilëve u kërkohen më shumë vota se partive për t’u zgjedhur deputet në një qark. Për nga detyrimi për të fituar së paku 1% të votave kombëtare, kandidatët e pavarur trajtohen si të ishin parti politike. Po për nga të drejtat ata kanë shumë më pak të drejta se partitë duke u votuar vetëm brenda një qarku”, shkruan ai në një reagim në rrjetet sociale.
“Kjo kërkese nuk bëhet për Elton Debreshin, as për zgjedhjet e kësaj radhe, por për të mbrojtur në të ardhmen demokracinë shqiptare nga monopoli antikushtetues i tre partive të mëdha”, shton.
(E.H/Faxweb.al)