Bujar Qamili ka rrëfyer sot se ka patur një përballje të vështirë me Covid-19, por fatmirësisht e ka fituar betejën me koronavirusin.
Këngëtari ka zbuluar se ka qëndruar 21 ditë në koma. Qamili thotë se fillimisht kishte shkuar në Itali për të bërë një vizitë për veshkat, ku dhe u shtrua në spital. Por siç duket nuk kishte patur covid dhe pas daljes nga spitali kishte ardhur në Shqipëri, ku kishte marrë pjesë në një eveniment. Të nesërmen ishte nisur sërish për Itali, ku dhe më pas rezultoi me covid dhe përfundoi në koma për 21 ditë.
Këngëtari tha se ka lindur për së dyti dhe ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa theksoi se ka kaluar një traumë të fortë.
“Unë erdha përdisa ditë pushimi në Itali. Unë kam kohë që vuaj nga veshkat, kisha infeksion. Në Itali shkova edhe për të bërë pak qejf, por pas disa ditësh fillova të kisha krizë të fortë që rrallë herë më ka ndodhur. U shtrova në spital dhe qëndrova gati 10 ditë. Gjatë kohës që isha i shtruar në spital kam dëgjuar disa gazetarë, gazeta që thanë jo është infektuar me Covid-19, jo virusi etj etj. Faktikisht nuk është e vërtetë sepse unë në spital jam shtruar për veshka.
Pasi jam shëruar telefonata e parë që kam bërë ka qenë më shokun tim Ramazan Çeka dhe me të drejtë ka deklaruar në disa media që nuk kam qenë me Covid, por me veshka. Pasi dola, qëndrova disa ditë në shtëpi dhe pas pak ditësh i kam hipur avionit ashtu siç kam qenë, kam ardhur në Shqipëri dhe përfaqësova Shkodrën. Kam bërë një telefonatë me Pandi Laçon dhe Ardian Hilën, më thanë që duhet të jesh patjetër sepse është Nata Shkodrane dhe nuk ka kuptim po të mos jesh ti. Kur kam ardhur aty, kam kënduar këngën, me shokët e mi, kemi fol e kemi qeshur dhe i jemi afruar njëri-tjetrit shumë.
Të nesërmen i kam hipur avionit, kam ardhur në Itali se kam familjen këtu dhe në darkë vonë më filloi një temperaturë dhe lodhje. Temperatura filloi të rritej deri ne 38 e gjysmë, trupi ishte i lodhur dhe djali më dërgoi në spital. Në spital dola që isha me virus. Gjendja ka ardhur duke u vështirësuar, është bërë aq keq saqë nuk mund ta imagjinoni dhe unë vetë nuk kam dëshirë ta kujtoj çfarë mund të kenë qenë ato ditë për mua. Pas 4-5 ditëve unë nuk kam ditur më gjë fare se çfarë bëhej sepse kam qëndruar në gjendje kome për 21 ditësh. Pas 21 ditësh jam zgjuar, e kam parë veten ku jam, absolutisht nuk kam qenë në gjendje të komunikoja shumë.
Meqë më erdhi rasti që të jap në një intervistë në një televizion kombëtar që shikohet nga e gjithë Shqipëria dhe Europa dua të përshëndes djalin tim që më qëndroi pranë dhe mjekët italianë të cilët ishin në dispozicionin tim”, ka deklaruar Bujar Qamili për Tv Klan.