Eshtë mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile të Tiranës, me qëllim ndihmën ndaj banorëve në kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj në fjalën e tij në Këshillin Bashkiak deklaroi se në lidhje me këtë rast kërkon marrjen e masave të menjëhershme.
Erion Veliaj u bëri apel zyrtarëve të azhornojnë si duhet stafet e ndihmës drejt zonave ku fluksi dhe nevoja për ndihmë është më e madhe.
‘’Nevojat nuk janë njësoj kudo. Në ca vende, pashë se çadrat kanë qenë falsitet maksimal. Ndërsa në disa të tjera rrinin kot. Nëse p.sh. te Liqeni i Thatë s’vjen njeri se s’ka nevojë për ndihmë, stafi për ndihmë të paketohet dhe të lëvizë p.sh. në Don Bosko, ku ka fluks dhe nevojë më të madhe për ndihmë. Ose nga Peza në Kombinat. Deri në darkë, të bëhet një rezyme për të gjitha zonat emergjente. Jo të kemi njerëz kot dhe të rrinë vetëm’’, bëri thirrje Veliaj për organizimin serioz të strukturave të Emergjencës të njësive administrative të Tiranës.
Veliaj, nuk i ka kursyer kritikat as ndaj administratorëve, të cilat sipas tij nuk u hapin telefonin qytetarëve.
“Nëse unë gjej kohë që t’i përgjigjem në telefon çdo administratori, edhe ju duhet ta bëni. Deri nesër mirë është që të keni kontakt me secilin prej të prekurve. Duhet të bëhet vlerësimi njëherë e mirë. Rigorozë në kohë e në procedura,”tha Veliaj.