Fax News prej se ka nisur problemi i kalimit të emigrantëve në Kakavijë, ndodhet pranë qytetarëve ku në lidhje të vazhdueshme me gazetarët tanë në terren janë përcjellë shqetësimet e tyre.
Situata tashmë ka kaluar në gjendje krize duke marrë parasysh edhe vendimin e qeverisë greke që duke filluar nga dita e nesërme do të mund të kalojnë vetëm 750 qytetarë në ditë, ndërsa radha e makinave në doganë është si kurrë ndonjëherë më parë, e me mijëra njerëz ndodhen nën diel duke pritur.
Njëri prej tyre foli me gazetaren e Fax News, Fatmira Bajrami ku tha se Rama po vijon pushimet ndërsa qytetarët e tij qëndrojnë në mes të rrugës pa ujë dhe ushqime, ndërsa shtoi se këtë problem nuk e zgjidh askush tjetër veçse kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
“E 4 ditë me radhë, edhe 4 të tjera më këtë që shohim do të ecim. Janë 7500 makina dhe më këtë ritëm duhen 750 vjet. Këto 300 metra ku jam unë duan 30 ditë ti kaloj. Rama mirë është fle gjumë ai, ka vajtur me pushime, ndërsa qytetarët e tij qëndrojnë këtu pa ujë pa ushqime, pa asgjë. Nga kush do ti marrim. Nuk di çfarë të them. 750 veta do kalojnë nga nesër, pa shikoni sa makina janë në pritje. Vetëm Mitsotakis e vendos këtë punë, po dha urdhër Mitsotakis, po dha urdhër ai kaluam, po nuk dha urdhër ai, askush tjetër nuk vendos për këtë çështje, presim çfarë do të thotë ai”, tha qytetari.
Ndërkohë ka pasur tensione mes qytetarëve dhe autoriteteve greke në doganë, pasi pala e vendit fqinj ka pezulluar punën për një orë e 30 minuta, ndërsa në sheshin mes 2 kufijve ndodhen rreth 40 makina drejtuesit e të cilave në shenjë proteste kanë takuar boritë.
Një tjetër qytetare tha se ka qëndruar vetëm 4 ditë në Shqipëri ndërsa familjen e ka në shtetin grek, duke pohuar gjithashtu se 3 ditë i bëri në pritje në doganë.
“Kemi 3 ditë situata është skandaloze, kjo që po them dua të jepet në televizor. Ky nuk është shtet, të mos na pranojë të vijmë si qytetarë, ta na i mbylli Shqipëria rrugët. Më tepër respektohen sirianët se shqiptarët në 2020. Vetëm 4 ditë kam qëndruar në Shqipëri, ndërsa po bëj 3 ditë këtu. Familjen e kam në Greqi. Pa banjë, pa ujë dhe pa bukë, me fëmijë në makinë, nuk kam fjalë.”, tha ajo.
(F.GJ/FAXWEB.AL)